Klose vendos derbin e Romës

17/10/2011 00:00

Lazio ka fituar derbin e Romës me rezultatin 2-1 falë golave të Hernanes me 11-metërsh dhe Miroslav Klose në minutën e 93 të takimit.

Lacialët kontrolluan ndeshjen në pjesën më të madhe të takimit të zhvilluar në mbrëmjen e së dielës në stadiumin Olimpiko të Romës, por e panë veten në disavantazh që në minutën e pestë, kur Osvaldo shënoi për Romën.

Në pjesën e dytë, Lazio arrin të fitojë një 11-metërsh kur mbrojtësi Kjaer tërheq lehtë nga fanella në zonë mesfushorin e Lazios, Christian Brocchi, dhe arbitri e ndëshkon danezin me kartonin e kuq. Hernanes e shndërron në gol penalltinë në minutën e 51.

Pas barazimit, Roma u mbyll në mbrojtje ndërsa Lazio u hodh në sulm për të marrë fitoren që erdhi në minutën e tretë dhe të fundit shtesë të ndeshjes.

Miroslav Klose me anë të një goditjeje të zgjuar dërgoi në rrjetë topin e ardhur nga Mauri.

Top Channel