Superliga, Teuta merr kreun

16/10/2011 19:30

Falë një penalltie të realizuar nga kapiteni Arjan Sheta në minutën e 21’ Teuta arrin të mposhtë Apolloninë në fushën e saj me rezultatin 0-1.

Për “djemtë e detit”, të drejtuar nga Hasan Lika, kjo ishte fitorja e dytë në transfertë dhe e katërta në pesë javët e para, rezultate këto që i ngjisin ata në krye të Superligës në kuotën e 12 pikëve, të vetëm.

Humbjen e vetme të pësuar, Teutës ja ka shkaktuar Vllaznia, në atë fitore 3-1 në “Loro Boriçi”.

Takimi i radhës për Teutën do të jetë ai që do të zhvillohet në Durrës me Skëndërbeun që aktualisht ndodhet në vendin e 10-të.

Ndërkohë takimi tjetër i ditës së dielë ai mes Dinamos dhe Shkumbinit në Stadiumin “Selman Stërmasi” ka përfunduar me rezultatin e bardhë 0-0.

Dy formacionet, me shumë lojtarë të rinj, të udhëhequr në fushë nga kapitenët me përvojë, Bekim Kuli i Dinamos dhe Roland Dervishi i Shkumbinit, prodhuan shumë pak lojë dhe grintë gjatë 90 minutave shumë të mërzitshme, aq sa e vetmja shfaqje ndodhi në tribuna, në minutën e 74-t, ku pati ndonjë replikë të tejkaluar midis tifozerive respektive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA