Standard & Poor’s zhvlerëson Spanjën

14/10/2011 00:00

Spanja pëson një tjetër goditje nga agjencitë e vlerësimit të kreditimit. Standard & Poor’s ka zhvlerësuar nga AA në AA- aftësinë e vendit iberik për shlyerjen e borxhit afatgjatë.

S&P arsyeton se shkak në vendimin e saj është rritja tepër e ngadaltë e ekonomisë spanjolle si dhe niveli i lartë i borxheve që bart sektori privat në vend.

Agjencia, tha gjithashtu se niveli i lartë i papunësisë që po përballet Spanja, ndikon dhe do të ndikojë për një kohë të gjatë në performancën e ekonomisë vendase.

Me këtë vendim, S&P i bashkohet agjencisë Fitch, e cila javën e shkuar zhvlerësoi aftësinë kredituese për Spanjën. Sipas ekspertëve, të dy vendimet do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në koston hua-marrëse të Spanjës.

Fitch zhvlerëson UBS

Agjencia e vlerësimit të kreditimit, Fitch ka zhvlerësuar bankën zvicerane, UBS si dhe ka vendosur nën “vëzhgim” 12 banka të tjera, të cilat janë paralajmëruar se mund të marrin të njëjtin vlerësim ditët në vijim.

UBS u zhvlerësua nga A+ në A. Në vlerësimin e saj, Fitch, vëren se sfidat me të cilat po përballen tregjet, kriza e borxheve të vendeve të eurozonës dhe shkurtimet e ndjeshme të shpenzimeve prej shumë qeverive, po ndikojnë në performancën e shumë bankave.

Mes bankave të vendosura nën vëzhgim dhe që rrezikojnë të pësojnë të njëjtin zhvlerësim ashtu si UBS, janë edhe Deutsche Bank dhe Goldman Sachs.

Më herët, Fitch zhvlerësoi bankat britanike, Lloyds dhe Royal Bank of Scotland.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA