56 milionë USD u shpenzuan pa tender

27/02/2011 08:00

Të marrësh pjesë në tenderët e administratës publike është qëllimi kryesor i shumë kompanive private, madje një pjesë e mirë janë krijuar enkas për t’u futur në “lotarinë” e buxhetit të shtetit.

Me hapësirat që jep ligji shqiptar i prokurimeve publike, shpallja e fituesit mund të bëhet edhe pa iu futur garës konkurruese që firmat private duhet të kalojnë, në mënyrë që të ofrohet çmimi më i ulët.

Skema është e qartë. Në fillim palët bëjnë sikur diçka nuk shkon dhe vendosin të anulojnë tenderin. Shikojnë nga e para letrat dhe nisin fazën e dytë, përsëritjen e tenderit, por sërish dështon për “arsye” nga më të ndryshmet.

Koha ikën dhe duhen përgatitur sërish procedurat për tenderin e tretë, ashtu siç e kërkon ligji. Por, “plani” duhet çuar deri në fund dhe komisioni i tenderit vendos ta anulojë sërish. Shkaqet? Nga më të ndryshmet që të ofron ligji, si mungesë dokumentacioni, mungesë konkurrence, firmat që tërhiqen etj.

Në këto kushte, enti shtetëror është i detyruar të veprojë sipas “planit B”: blerja e mallit, shërbimit ose kryerja e investimit pa tender, pa garë, pa konkurrencë. Kur procedura e shpenzimit kalon pa tender, askush nga firmat nuk mund të ankohet dhe askush nga lart nuk është në gjendje të verifikojë si u shpenzuan paratë e buxhetit.

Kjo skemë është përsëritur mbi 1900 herë gjatë vitit 2010. Plot 56 milionë dollarë janë shpenzuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për objekte, shërbime e mallra, sipas “planit B”, pa tender.

Shifra konsiderohet më e lartë se niveli i vitit 2009, kur kishte ‘bum’ tenderësh për shkak të fushatës. Po ta krahasojmë me numrin total të kontratave të shpallura fituese, shpenzimet pa tender zënë rreth 60 për qind, tregues ky akoma edhe më shqetësues.

Në raportin e publikuar së fundmi, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) thekson se janë publikuar 1960 kontrata të nënshkruara për procedura me negocim, pa publikim të njoftimit të kontratës (ose ndryshe, pa tender). Këto janë procedura që kryhen kur tenderi ka dështuar dhe për shkaqe të kohës nuk mund të presësh më hapjen e një tjetër tenderi, e në këto kushte administrata kalon në fazën tjetër.

Në jo pak raste, Avokati i Prokurimeve ka ngritur shqetësimin se administrata publike i zvarrit qëllimisht tenderët ose i anulon pa shkak, në mënyrë që të arrihet te objektivi i lidhur nga interesat korruptive. Avokati, në raportin e fundit për vitin 2010, ngre disa problematika ligjore që lidhen me shpenzimet e administratës në dëm të arkës së shtetit.

Të njëjtat shqetësime ka ngritur edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke kërkuar nga autoritetet kompetente si APP-ja, që të merren masat. KLSH-ja thekson se duhen kuptuar dhe zbardhur si duhet arsyet se pse anulohet shpesh një tender i caktuar si dhe rezultati final që shpall kualifikimin pa garë të një kompanie private.

Top Channel