Kandidate për t’u bërë nëna

06/10/2010 18:40

Femrat luftojnë shumë të duken bukur edhe atëherë kur gjendja e tyre fiziologjike ndryshon dukshëm.

Shtatëzanë, por edhe me vetëkontroll mbi linjat që nuk duhet të shuhen gjithësesi. Disa mund ta quajnë një mision të pamundur. Por ky mendim mund të shmanget nëse shohim se çfarë sakrificash janë të afta të bëjnë disa nëna kandidate për kujdesin ndaj fizikut të tyre.

E ngjashme me një palestër, kjo dhomë është një nga të paktat që ofron shërbimin e kurseve përgatitore për shtatëzëna në Shqipëri. Bora, Marsela dhe nënat e tjera në pritshëmri, janë bërë tashmë pjesë e orëve që miksojnë stërvitjen me informacionin, për një fazë që vjen tërësisht e re në jetën e secilës prej tyre.

“Tre herë në javë bëj. Ushtrimet janë të lehta dhe më argëtojnë më shumë sesa më lodhin”, shprehet Bora.

Kursi i shtatëzënave pas një kalitjeje të mirë fizike, tek e fundit vlen edhe për të eleminuar disa simptoma e dhimbje që shoqërojnë thuajse të gjithë fazën. Dhe për këtë, nënave nuk u duhet të sakrifikojnë shumë. Anila, instruktorja e tyre ne tregon:

“Gruaja shtatzënë vjen me një rekomandim nga mjeku gjinekolog. Fillon me ushtrime të thjeshtëzuara. Ndihmon në shtyllën kurrizore dhe elasticitetin e lëkurës”, thotë Anila.

“Në shtëpi bëj pak, por për një trajtim më të mrië dhe lindje të ëmbël vij këtu”, shpjegon Bora.

Dhe në fakt, ajo çfarë u vlen më shumë këtyre kurseve gjimnastikore është parapërgatitja për proçesin e sjelljes në jetë të bebeve. Për ato femra që ndjekin një regjim të mirë me aktivitete fizike, finalja vjen gjithnjë më e lehtë.

“‘Gjimnastika dolçe’, siç e quajmë ne ndihmon në lindjen natyrale”, shprehet Anila.

Por, përveç këtij benefiti disa prej kursanteve rezultatet e stërvitjes i përfitojnë edhe më herët.

“Ndihem më e lehtë. Shërben në mbajtjen e trupit në formë. Nuk bëj ushtrime të sforcuara, por ato që përballon gjendja ime fizike tani”, thotë Marsela.

“Është shumë e frekuentuar. Dhe nga ana psikologjike ndihmon në mënyrën e të menduarit dhe ushqyerit”, pohon Anila.

Instruktorja Anila Kambo jep garancinë për kujdesin dhe mirëqenien fizike, si për nënën ashtu edhe fëmijën që rritet brenda saj duke u stërvitur.

“Janë shumë të dobishme. Mbajnë trupin në formë dhe pa pasur asnjë komplikacion për beben që do të vijë”, shprehet Anila.

“Ky kurs më ka ndihmuar për të mbajtur trupi në formë dhe për të lehtësuar punën me fëmijën”, thotë Bora.

Mbështetje psikologjike, parapërgatitje për një proçes natyral lindjeje pa shumë komplikacione dhe mbi të gjitha asistencë 9 mujore për të mbajtur trupin në formë. Nënat e reja kanë zbuluar mënyrën për t’i arritur të gjitha.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA