Mori pjesë në protestën kundër Netanyahut pranë selisë së OKB-së në Nju Jork, arrestohet aktorja Susan Sarandon
Një spektakël i veçantë qiellor pritet të shihet këtë fundjavë, teksa Hëna e plotë e parë e vjeshtës do të shoqërohet në qiell nga planeti Saturn.
Hëna do të arrijë ndriçimin maksimal të shtunën në orën 12:49 sipas orës lindore amerikane, ndërsa momenti më i përshtatshëm për ta vëzhguar do të jetë pas perëndimit të Diellit. Saturni, që dallohet për unazat e tij, do të shfaqet pranë Hënës dhe do të duket me një nuancë të artë.
Planeti do të arrijë të ashtuquajturën opozitë më 4 tetor, moment kur Toka ndodhet mes Diellit dhe Saturnit. Kjo konsiderohet periudha më e favorshme për vëzhgimin e planetit, pasi ai ndodhet më pranë Tokës dhe duket më i ndritshëm në qiell.
Pranë Hënës do të duket gjithashtu edhe Neptuni, megjithëse vëzhgimi i tij është shumë më i vështirë. Për ta parë atë nevojiten zakonisht dylbi ose teleskop, si dhe një qiell i pastër dhe larg ndotjes së dritës.
Nëse moti nuk favorizon vëzhgimin të shtunën, Hëna do të duket pothuajse e plotë edhe të premten dhe të dielën në mbrëmje.
Pse quhet “Hëna e Korrjes”?
Hëna e plotë e shtatorit lidhet tradicionalisht me periudhën e korrjeve. Në të kaluarën, ndriçimi i saj u mundësonte fermerëve të vazhdonin punën në ara edhe pas perëndimit të Diellit.
Këtë vit ajo njihet gjerësisht si Hëna e Korrjes, pasi shfaqet shumë pranë ekuinoksit të vjeshtës, që shënon fillimin astronomik të vjeshtës në hemisferën veriore.
Hëna mund të marrë një ngjyrë portokalli ose të artë, veçanërisht kur ndodhet pranë horizontit. Kjo ndodh për shkak të mënyrës se si drita e saj përshkon atmosferën e Tokës.
Tre Hëna të plota të tjera në 2026
Pas kësaj, gjatë vitit 2026 do të ketë edhe tre Hëna të plota:
-26 tetor – Hëna e Gjuetarit
-24 nëntor – Hëna e Kastorit
-23 dhjetor – Hëna e Ftohtë
Hënat e plota të nëntorit dhe dhjetorit pritet të jenë gjithashtu superhëna, duke u shfaqur më të mëdha dhe më të ndritshme për shkak të pozicionit të tyre më pranë Tokës.
Top Channel