
Familja Balliu nga fshati Beshisht i Vlorës, një fshat 15 kilometra nga bregdeti, dhe qendra e Vlorës, por që nuk ka asgjë të përbashkët me të, mes krizës ekonomike e sociale, gjendet tashmë e shpërbërë.
Dy vajzat binjake, pa mbushur ende 18 vjeç, kanë disa javë që kanë braktisur shtëpinë duke u vendosur në qytetin e Vlorës. Babai e ka denoncuar si rrembim dhe ai është i bindur se vajzat janë bërë pjesë e një rrjeti që pret t’i trafikojë jashtë vendit.
“I kisha me 9 e 10, aty u mpleksën me një vajzë nga Llakatundi që nuk ka sjellje të mirë dhe që është e dyshimtë në lidhje me trafiqet. U thashë mos u merrni me atë vajzë së ajo është e rrezikshme dhe do t’u fusë në rrugë të keqe”, shprehet për Top Channel prindi i dy binjakeve, Arqile Balliu.
Policia ka hedhur poshtë mundësine e trafikimit, ndërsa babai përpiqet të tregojë argumente, që sipas tij tregojnë se vajzat janë mashtruar për t’u bërë viktima të prostitucionit.
“Ajo vajzë dhe fëmijët më kishin ardhur në shtëpi për kafe dhe unë si shqiptar u nxorra çdo lloj gjëje që kisha, ndërsa ajo kishte tjetër synim, për të parë ça gjendje kisha unë për t’u përballur me shoqërinë e tyre”, shton më tej Balliu.
Policia ka rrëzuar çdo shqetësim të bërë nga Arqile Balliu, kjo edhe për faktin se dy vajzat kanë deponuar në policinë e Vlorës, duke thënë se nuk duan të jetojnë me prinderit. Sipas policisë ato kërkojnë një jetë të tyren, të pavaruar nga prindërit.
Të ndodhur mes këtyre dilemave njerëzit e shtetit thonë se nuk mund të ndërhyjnë në vendimarrjen e dy vajzave për të ushtruar mënyrën moderne të të jetuarit jashtë familjes.
Ndërkohë që babai që jeton në kushte mesjetare ekonomike, nuk resht së kërkuari, dhe është i bindur se vajzat e tij janë në paradhomën e trafikantëve të prostitucionit.
Top Channel