Master për Juridik edhe në Universitetin e Shkodrës

26/08/2010 08:10

Qeveria ka marrë dje një sërë vendimesh lidhur me hapjen e programeve të reja të masterit, kryesisht në Universitetin e Durrësit dhe të Shkodrës.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave miratohet hapja e të programeve të studimit të ciklit të dytë, “Master i nivelit të parë” në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, të universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Degët e studimit janë “Punonjës socialë me fëmijët dhe familjen”, “Psikolog në institucione”. Sipas vendimit, programet e studimit “Master i nivelit të parë” realizohen me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit akademik. Programet e studimit të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010-2011.

Në përfundim të programeve të studimit lëshohen diplomat “Master i nivelit të parë”. “Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, pa efekte buxhetore shtesë”, thuhet në vendim.

Po ashtu, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi dje hapjen, në Fakultetin e Drejtësisë, të universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, të programit të studimeve të ciklit të dytë, “E Drejta Kushtetuese dhe Administrative”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, (DND), në “E Drejta Kushtetuese dhe Administrative”.

Ky program studimesh i ciklit të dytë realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 2 (dy) vite akademike. Programi i studimeve “E Drejta Kushtetuese dhe Administrative” të fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010-2011. Një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave ka qenë lidhur me një riorganizim në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Këshilli i Ministrave miratoi dje riorganizimin e universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, në njësitë kryesore, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Biznesit, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, Fakulteti i Shkencave Politike – Juridike, Fakulteti i Studimeve Profesionale.

Vendimet e Këshillit të Ministrave nuk kanë qenë dje vetëm për universitetet në rrethe. Qeveria ka miratuar dje edhe hapjen e masterit për Universitetin e Sporteve. “Qeveria miraton hapjen, në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, të Universitetit të Sporteve, Tiranë, të programit të studimeve të ciklit të dytë, “Master i Nivelit të Parë” (MNP), në “Stërvitje Sportive”, në përfundim të të cilit lëshohet diploma Master i Nivelit të Parë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Programi i studimeve “Master i Nivelit të Parë” realizohet me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është 1 (një) vit akademik. Po ashtu, për Universitetin e Sporteve Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe hapjen e programit të studimeve të ciklit të dytë, në “Shkenca Sportive”, në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, të Universitetit të Sporteve, Tiranë. Në përfundim të ciklit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, (DND), në “Shkenca Sportive”. Ky program studimesh i ciklit të dytë realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 2 vite akademike.

Top Channel