Ndryshon strategjia, shtyhet eurobondi

18/08/2010 08:40

I parashikuar për t’u hedhur në treg në fillim të muajit shtator, Ministria e Financave gjykon se tashmë eurobondi, me rishikimin e buxhetit, kthehet në plan të dytë, të paktën për këtë vit.

Vetëm nëse bankat ofrojnë kushte tepër të favorshme, të paktën nën 7.5 për qind interes, atëherë edhe mund të shikohet varianti i emetimit. “Me reduktimin e buxhetit për rreth 39 miliardë lekë, emetimi i eurobondit nuk shihet me ngut, edhe pse tregjet janë qetësuar. Kur kanë mbetur edhe pak muaj nga mbyllja e vitit dhe me limitet e mbetura të huamarrjes së brendshme, gjykohet që eurobondi 350 milionë euro të merret në fillim të vitit 2011”, deklarojnë burime të sigurta në Ministrinë e Financave.

Tani që qeveria ka hequr nga plani i shpenzimeve rreth 10 për qind të buxhetit, nevoja për para bëhet më e vogël, të paktën për këtë vit, megjithatë, në rast se bankat do të ofrojnë kushte shumë më të favorshme kredie, Financat do ta marrin në konsideratë, por jo në shumën e deklaruar, që ishte 350 milionë euro.

Strategjia për shtyrjen e borxhit do të pasojë me politika më të kujdesshme për huamarrjen e brendshme. Për të qenë sa më të ekuilibruar me nivelin e borxhit të jashtëm, i cili do të ndikohet nga disbursimet, dhe për këtë ministria nuk ka një parashikim të qartë, për pjesën e tregut të brendshëm, autoritetet do të tregohen mjaft konservatore.
Në ankandin e radhës nuk do të merren hua nga bankat vendase, por vetëm rishikim i termave, duke zgjatur afatet. “Nuk kemi më presionin e muajve maj-qershor, kur kërkonim me ngulm kredi, qoftë edhe me interesa 8.5 për qind. Tashmë kemi qetësinë për të bërë zgjedhjen e duhur. Në këto kushte, eurobondi shikohet si mundësi e duhur vetëm për 2011-n, kur fillon viti, dhe do të shërbejë si mbështetje për të gjithë periudhën”, saktëson Ministria e Financave.

Qeveria, duke mos arritur të dalë në tregun huaj të eurobondit, për shkak të krizës financiare, zhvilloi një ankand, duke emetuar bono në valutë, në masën 25 milionë euro, me interesa rreth 6 për qind. Me rishikimin e buxhetit që parashikon uljen e deficitit buxhetor në 3.1 për qind, nga 7.1 për qind që ishte në 2009-n, do të reflektohet edhe në nivelin e huamarrjes së brendshme, pa qenë nevoja për të dalë nga limitet e lejuara, sikurse është vepruar në vitet e kaluara.

Deficiti buxhetor në buxhetin e rishikuar të vitit 2010 rezulton në rreth 38 miliardë lekë, ose 3.1 për qind e PBB, financimi i të cilit do të jetë 2.4 për qind nga burime financiare të brendshme dhe 0.7 për qind nga burime financiare të huaja. Me buxhetin e rishikuar, niveli i financimit të huamarrjes së brendshme ulet nga 2.8 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në buxhetin fillestar 2010 në 2.4 për qind e PBB-së dhe huamarrja e huaj reduktohet nga 1.1 në buxhetin fillestar në 0.7 për qind.

Me rishikimin e parametrave të huasë, niveli i borxhit në total për vitin 2010 parashikohet të arrijë në rreth 416 miliardë e 382 milionë lekë, ose gati 1 miliard më shumë se viti 2009.
Lidhur me menaxhimin e borxhit të financuar me instrumente financiare, një nga veçoritë kryesore të 6-mujorit të parë 2010, ka qenë ekzistenca e likuiditetit në treg dhe reagimi me pjesëmarrje aktive në instrumentet e qeverisë. Si rrjedhim shtesa e emisionit të obligacioneve afatgjata në total është 9,1 miliardë lekë, duke emetuar obligacione 2-vjeçare 3,5 miliardë lekë, obligacione 3-vjeçare janë emetuar 400 milionë më pak se maturimi dhe 6 miliardë emetime shtesë vijnë nga obligacionet 5-vjeçare kryesisht me interes variabël. Ndërsa shtesa nga bonot e thesarit është 19,6 miliardë lekë, ku përfshihet edhe shuma e bonos së emetuar në euro prej 25 milionë ose 3,2 miliardë lekësh.

Top Channel