Peshkatarë të “fiksuar”

22/07/2010 19:10

Kjo është një tjetër natë e kaluar pa gjumë për Hysenin. Ndërkohë që dielli po zbret dalëngadalë në liqen, peshkatari i lodhur nga pritja e gjatë, provon edhe njëherë të mbjellë me ushqim rezervatin, me shpresën se peshqit do të afrohen. Shpresa vdes e fundit.

Hyseni është mësuar të presë. Ai ka një jetë që peshkon me kallam. Vesi i ushtrimit të këtij sporti i ka mësuar të kalisë durimin, aq sa dikush do ta kishte tejet të vështirë. Ushqimi i ujërave është ndjellja më e mirë që mund t’u bësh peshqve në këtë kohë.

Në brigjet e Liqenit Artificial mund të gjesh pa problem profesionistë por edhe amatorë të peshkimit. “Kam që në vitin 1977 e deri më sot që gjuaj në këtë liqen. Vij që në 4 të mëngjesit dhe deri në 9 të darkës”, shprehet Hyseni. Peshku më i perhapur në këtë pjesë të liqenit është Karasi. Në fakt Hyseni nuk është i “marri” i vetëm që peshkon në këto ujëra. Si ai ka edhe shumë të tjerë, por është vështirë të gjesh peshkatarë kaq të fiksuar sa ky njeri.

Liqeni është vetëm një nga oazet ku Hyseni peshkon. Ai nuk ka lënë masive ujore në Shqipëri pa vizituar dhe epiteti “Njeriu me kallam në dorë” duket se i shkon me përshtat se cdo nofkë tjetër që mund t’i vendosësh. Dashuria për peshkimin, e ka detyruar peshkatarin e Karasit, që të lërë menjanë dhe pergjegjësitë familjare. Nëse ke një hall dhe do të takosh Hysenin, i vetmi vend ku mund ta takosh është bregu i Liqenit dhe këtë ves ia njeh shumë mirë edhe familja e tij.

Duket se më në fund, pas orësh e orësh të tëra pritje kallami po fillon të tundet. Ngjan se një peshk i pamësuar me rrengjet e një peshkatari, ka rënë në kurth. Gëzimi në sytë e Hysenit është i pamatë. Me të vertetë ky peshk i paditur mund te mos jetë një gjah i majmë, por nesër ama në bisedat midis miqsh ai do të jetë një objekt i stërmadh, që gati sa nuk po shkulte kallamin.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel