Kapet stjuardesa hajdute e “Air France”

21/07/2010 18:50

Ndërsa klientët e pasur dremisnin në klasin biznes të avionëve të kompanisë “Air France”, stjuardesa përfitonte për të futur duart në xhepat e bagazheve të tyre.

Ka përfunduar me një fund të hidhur karriera e punonjëses së kompanisë ajrore franceze Lucy R, e cila që nga marsi 2009 ka vjedhur dhjetra pasagjerë të huaj.

Sipas gazetës “Le Figaro”, 47 vjecarja është arrestuar ditën e premte nga policia franceze në aeroportin “Paris-Charles-de-Gaulle” ndërsa po zbriste nga një avion i kthyer nga Tokyo. Ka qënë pikërisht kjo linjë ku ajo ka kryer vjedhjet më të mëdha dhe pas ankesave të shumë pasagjerëve japonezë, policia ra në gjurmët e hajdutes.

“Japonezët janë preja ideale pasi udhëtojnë me shumë para me vete sepse nuk dëshirojnë të paguajnë me karta krediti”, tha një drejtues i policisë. Gjithsesi, Lucy mund të kalojë vetëm një periudhë të shkurtër në burg pasi ka pranuar vjedhjet duke u justifikuar se kishtë nevojë për para.

Top Channel