Kjo është “jeta e natës” në Tiranë, me muzikë të zhurmshme, me një numër të madh klientësh të rinj, me mungesë të reklamave promocionale anti-alkool, me dëshirën e madhe për t`u argëtuar nën shoqërinë e tij.

Urbanizimi i popullsisë e ka nxitur këtë stil të jetuari, fundjavat në qendër të metropolit dhe të qyteteve të tjera, “nxisin” konsumin e pijeve alkoolike më shumë se çdo ditë të javës, një gjë e zakonshme  së cilës nuk i shpëtojnë dot edhe të rinjtë.

Përveç argëtimit, “në mes të kësaj jete” të shfrenuar konsumohen edhe histori “fatale”.

Beni është 21 vjeç, tregon se e ka nisur alkoolin që 11 vjeç thjeshtë për shoqëri, por më pas duke “mos u ndalur” përgjatë një dekade e gjeti veten nën varësinë e pijeve të forta.

“E kaloj gjysmën e kiles në ditë”, thotë Beni.

Duke ju referuar stinës që jetojmë, të dhënat e fundit zyrtare, por të papublikuara, thonë se “më shumë se 60% e meshkujve janë përdorues të rregullt të alkoolit, në tre muajt e fundit dhe 41% e tyre përdorin alkool çdo ditë ose pothuajse çdo ditë”.

Një në pesë meshkuj të moshës 15-24 vjeç është përdorues i rregullt i alkoolit. Një tjetër personazh i varur nga alkooli është Ani, 22 vjeç. Ai tregon se si e ka nisur pijen kur ishte 16 vjeç.
 
“Ka qenë viti i dytë në gjimnaz. E nisa nga streset që po kaloja, nga një dashuri e pa realizuar, isha i mërzitur”, pohon Ani.

Alkooli dëmton aftësitë konjitive dhe motore, personat që e pijnë “humbasin orientimin” reagojnë në mënyrë agresive dhe pësojnë aksidente.

“Kam pësuar pesë herë aksidente, i fundit ishte para një viti, mora makinën e një mikut tim dhe u përplasa në bordurat e autostradës me shishen e birrës në dorë”, thotë Beni.

Pranueshmëria sociale, moda, mos-përballimi i situatave të rrezikshme janë faktorët që nuk i lejojnë këta të rinj të “heqin dorë” prej alkoolit. Beni ka tentuar disa herë, por në mungesë të kurajos, siç thotë ai, edhe pse ai i privoi studimet, përpjekjet kanë qenë të dështuara.

“Kam rezistuar vetëm një ditë, pastaj e kam nisur prapë”, pohoi Beni.

Të  rinjtë që abuzojnë me alkoolin, bëhen seksualisht aktiv që në adoleshencë të hershme, ata kryejnë shpesh marrëdhënie seksuale në mënyrë të pambrojtur. Larg këtij informacioni specifik dhe atij të dëmeve që shkakton përdorimi i alkoolit në tërësi, të “rinjtë tanë” flasin vetëm për atë që organizmi i tyre përjeton çdo ditë:

“Kam dhimbje stomaku dhe shumë aciditet”, thotë Ani.

Me personalitet të gjymtuar, në mungesë të një “pavarësie fizike dhe emocionale” edhe për këta të rinj ka plane.

“Ke ndërmend të heqësh dorë prej alkoolit? Dua të heq dorë, uroj të vijë ajo ditë”, thotë Beni.

Top Channel