“Harry Fultz”, historia e një shkolle që nisi si eksperiment

01/07/2010 18:45

Gjithmonë midis maturantësh dhe ish-ësh ekziston një garë e fortë mburrje për emrin e shkollës kur ata studiojnë apo ku dikur kanë qenë pjesë e saj.

Në Tiranë, ajo që filloi si një nismë eksperimentale nga disa anëtarë të Kryqit të Kuq amerikan para Luftës së Dytë Botërore nën drejtimin e Harry Fultz, është shndërruar sot në një histori të gjatë suksesi. Disa të rinj, të cilët sot gëzojnë një karrierë të suksesshme në fushat përkatëse, i përkasin pikërisht kësaj shkolle.

Ndonëse kanë vite që janë shkëputur nga bankat e shkollës, ata janë kthyer këtu në këto ambiente për të kujtuar vitet që kaluan në këtë shkollë. Belin Këlliçi, është produkt i “Harry Fultz”. Historia e edukimit të tij arsimor, është e lidhur pashmangshmërisht me emrin e kësaj shkolle. “Historia ime eshte e vecante nga te tjeret, pasi ajo nis disi me heret se vitet e mia te shkolle. Gjyshja ime ka mbaruar kolegjin e vajzave ne Kavaje dhe ne jemi rritur me emrin e Harry Fultz. Kjo ndikoi edhe ne zgjedhjen qe beri vellai im dhe me pas une”, shprehet ai.

Emri i shkollës padyshim që mbetet një detaj shumë i rëndësishëm në vendimin përfundimtar të gjithsecilit, në rrugën e gjatë të arsimimit. Blerina Preza, i përket brezit të parë të nxënësve që iu rikthyen bankave të “Harry Fultz”, pas vitesh të gjata mungese. “Vendimi nuk ka qenë i lehtë. Duke menduar vështirësitë që do hasja në këtë shkollë e kam pasur të vështirë, por më pas duke pasur nxitjen e motrës vendosa të filloj në Fultz”, thekson Blerina.

Më e lehtë ka qenë për ish-nxënësen e kësaj shkolle, Edlira Martiri. E bindur se kishte bërë zgjedhjen e duhur, ajo nuk pati mëdyshjen në zgjedhjen që bëri. “Unë i kam filluar studimet në vitin 1994. Rastesisht rashe në kontakt me kete shkolle nepermjet nje shoqes sime. Kjo ishte nje zgjedhje e imja, por edhe e prinderve te mi”, pohon ajo.

“Harry Fultz” padyshim që është edhe një histori suksesi. Midis emrave të shumtë të shkollave që popullojnë Tiranën, ky emër mbetet i lakmuar për çdo prind që kërkon një edukim të denjë për fëmijën e tij. Zamir Kokonozi, sot është pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura. Dikur ai ka qenë nxënës i shkollës Fultz. “Une kam kryer studimet ne Harry fultz. I perkas brezit te pare. Kam studiuar ne degen elektronike. Kjo shkolle me ka ndihmuar edhe ne rrugen qe une po ndej aktualisht ne degen e kinematografise”, nenvizon ai.

Ajo që i lidh edhe më shumë fatet e personazheve nuk është thjesht fakti që kanë përfunduar studimet e mesme në “Harry Fultz”, por ndihma e madhe që kjo shkollë u ka dhënë për të ecur përpara në jetë. Dhe mirënjohja është e thellë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel