India i kërkon Vatikanit shenjtërimin e Nënë Terezës

30/06/2010 08:10

Kisha katolike e Indisë ka kërkuar nga Vatikani që të shpallë të shenjtë humanisten shqiptare Nënë Tereza, në 100-vjetorin e lindjes së saj, më 26 gusht të këtij viti.

Në adresë të Vatikanit janë dërguar me qindra letra nga India, vendi ku veproi humanistja shqiptare, përmes së cilave kërkohet që Selia e Shenjtë të shenjtërojë Nënë Terezën. Nënë Tereza është bekuar nga Vatikani në vitin 2003, kur edhe mori titullin “e bekuar”.

Burime të kishës katolike të Indisë kanë thënë se shumë njerëz që u përkasin feve të ndryshme, por edhe të tjerë të organizatave katolike, i kanë shkruar Papa Benediktit XIV duke kërkuar shenjtërimin e Nënë Terezës për veprimtarinë e saj disavjeçare në ndihmë të njerëzve të varfër.

Kjo kërkesë është përkrahur edhe nga Konferenca Katolike e Ipeshkvisë së Indisë (CBCI). “Ne i kuptojmë aspiratat e robërve katolikë dhe anëtarëve të besimeve të tjera. Megjithatë, shqyrtimi i procesit të shenjtërimit do të marrë kohë”, ka thënë zëdhënësi i CBCI-së, Babu Jozeph, citon agjencia e lajmeve IANS. Sipas tij, procedura për shenjtërimin zgjat disa vjet.

“Kisha ndjek një proces rigoroz dhe të gjatë përpara se dikush të shpallet i shenjtë. Nënë Tereza është nderuar tashmë nga kisha, pasi asaj i është dhënë titulli ‘e bekuar’”, ka thënë ai. Indiania e fundit që ishte shenjtëruar ishte motra Aplhonsa. “Nëse kërkesa pranohet, atëherë Nënë Tereza do të jetë e treta nga India që do të shenjtërohet”, shkruan agjencia IANS.

Por ish-anëtari i Komisionit Ndërkombëtar të Komuniteteve, V.V. Augustine, ka thënë: “Për mua dhe të tjerët që e njohim punën e saj, ajo tashmë është një shenjtëreshë. Jam duke u lutur dhe duke pritur momentin kur Nënë Tereza do të shpallet e shenjtë, por njerëzit e dinë se procedura është mjaft e gjatë”, ka thënë Augustine. Me këtë rast, CBCI ka njoftuar se ka një program të ngjeshur me aktivitete për shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.

Presidenti Pratibha Patil do të kryesojë një takim përkujtimor që do të mbahet në Nju Delhi, më 28 gusht. Po ashtu do të mbahet edhe një simpozium ndërkombëtar me titull “Life and Message of Mother Teresa” (Jeta dhe mesazhet e Nënë Terezës). Një ekspozitë me fotografi nga puna e Nënë Terezës do të hapet në Nju Delhi, nga data 23 deri më 30 gusht, kurator i së cilës do të jetë fotografi Raghu Rai. Nënë Tereza është nderuar me disa çmime prestigjioze, duke përfshirë edhe çmimin “Nobel” për paqe në vitin 1979 dhe në vitin 1980 me “Bharat Ratna”, çmimi më i lartë që ndahet në Indi.

Top Channel