ESA: Marsi ka qënë i mbuluar nga uji

25/06/2010 18:35

Agjencia Europiane e Hapësirës ka bërë një zbulim të bujshëm për planetin Mars. Sipas të dhënave të marra nga dy sonda në distancë, planeti i kuq ka pasur jetë në të shkuarën, pasi në sipërfaqen e tij ka rrjedhur ujë i lëngshëm.

“ESA Mars Express” dhe “NASA Mars Reconnaissance Orbiter” kanë vënë re prani të silikateve minerare në pjesën veriore të planetit, cka do të thotë se në të shkuarën kjo pjesë ka qënë e mbuluar nga uji. Gjithashtu këto sonda kanë studiuar me detaje praninë e mineraleve të ndryshme në hemisferën jugore, cka do të thotë se temperatura në këtë planet ka qënë shumë herë më e ngrohtë.

“Shumë prej trupave minerare janë të një madhësie të vogël dhe duhen bërë ende shumë verifikime për të dalë në një përfundim”, thekson ESA. “Tashmë mund të themi se planeti ka qënë i mbuluar në një pjesë të madhe nga uji i lëngshëm më shumë se 4 miliardë vjet më parë”, thotë një prej drejtuesve të projektit.

Shkencëtarët e kanë të vështirë të thonë se cilat forma jete kanë ekzistuar. Ata shtojnë se Marsi është i pasur me hekur dhe magnez por i varfër me alumin.

Top Channel