
Ministria e Drejtësisë në Tiranë nuk ka dërguar ende dokumentacionin e plotë palës angleze për ekstradimin e Ilir Kumbaros bazuar në një fletë arresti lëshuar vitin e shkuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Burime nga Ministria e Brendshme Britanike Home Office më 22 Mars 2010 i pohuan Top Channel se i kanë kërkuar Ministrisë së Drejtësisë, informacion shtesë i cili po sipas këtyre burimeve nuk ka mbërritur ende.
Po në të njëjtën datë nëpërmjet postës elektronike, i kërkuam zëdhënëses së Ministrisë së Drejtësisë Migena Demirxhi të na tregonte nëse dokumentacioni për këtë cështje është dërguar apo do të nisej gjatë ditëve në vazhdim.
Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë vetëm sot pas 89 ditësh nga dërgimi kërkesës tone, pranoi të prononcohej duke deklaruar se: “Ceshtja per te cilen interesoheni konsiderohet informacion i klasifikuar dhe Kodi i Procedures Penale ndalon publikimin dhe dhenien e informacionit rreth materialeve te tilla”.
Ishin pikërisht vonesat në dërgimi e dokumentacionit që i dhuruan Ilir Kumbaros lirinë pasi përfaqësueses së shtetit shqiptar, nuk i ishte dërguar nga kjo ministri vendimi gjykatës së Krimeve të Rënda.
Katër gjykatës të kësaj gjykate të kryesuar nga Gurali Brahimllari më 15 Dhjetor 2009 lëshuan një fletë-arresti tjetër për Ilir Kumbaron pas kërkesës së prokurit Xhevat Hana.
Pikërisht kjo fletë-arresti nuk ju dërgua përfaqësueses së shtetit shqiptar Claire Dobbing dhe si pasojë më 18 Dhjetor 2009 Gjykata e Apelit në Londër pushoi cështjen e ekstradimit për Kumbaron ish-drejtorin e Drejtorisë së Parë të SHIK-ut për Tiranën.
Mbi zotin Kumbaro rëndësojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës, për rrëmbimin, torturimin e Zizo Kristopulit së bashku me Avdyl Loshajn përfshi zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Top Channel