Bonot, a janë monopol?

02/06/2010 21:05

Interesi i bonove të thesarit në treg jo vetëm që nuk përputhet me kërkesën e qeverisë për borxh, por madje në më shumë se një rast ka ecur edhe në drejtimin e kundërt.

Struktura e tregut të bonove është përqendruar në pak aktorë ku vetem Banka e Shqipërisë dhe një bankë e nivelit të dytë marrin mbi 55 për qind të bonove.

Individët, të cilët mund të ishin një faktor i rritjes së konkurrencës në treg dhe për rrjedhojë edhe uljes së interesave, prej vitesh vazhdojnë të zënë një pjesë të parëndësishme.

Kjo edhe me kontributin e bankave. Individët janë të detyruar me ligj, që nëse duan të investojnë në bono thesari, duhet ta bëjnë këtë përmes bankave private.

Dhe këto të fundit, të favorizuara nga ligji, vendosin komisione për këdo që tenton të blejë letra me vlerë të qeverisë, duke e mbajtur tregun të mbyllur.

Në fakt, dyshime se në tregun e letrave me vlerë dicka nuk shkon ka patur edhe nga vetë autoritetet e specializuara.

Pak kohë më parë, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi zyrtarisht hapjen e një hetimi të thelluar, i cili duket se mund te ketë dhënë efekt të pjesshëm në uljen e interesit të bonove.

Nga kjo lloj panorame këtu duket se vijnë edhe përgjigjet pse ministri i Financave Ridvan Bode sulmoi për herë të parë publikisht Bankën e Shqipërisë për politika pasive.

“Për të qenë në të njëjtin akord dhe për të mos u kthyer në pengesë për eksportet dhe politikën monetare”, deklaroi Bode para pak ditësh.

Duket që qeveria, e vënë në rrezikun e lartë të shlyrejes së borxheve, kërkon përmes kësaj deklarate të ulë artificialisht interesin e bonove të thesarit dhe të fshehë me kujdes duke krijuar një iluzion të rremë të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë.

Top Channel