Do të takojmë sot Petrit Ymerin. Sigurisht që emri i tij nuk ju thotë asgjë, por në Cërrik ai është heroi lokal. Ky zotëri është konstruktori i parë shqiptar i një makine të mirëfilltë.
Makina kabrio është e një kubature minimale, por është shumë e përshtatshme për trafik të dendur dhe mbi të gjitha është automjeti i parë “Made in Albania”.
“Ideja ka ardhur nga eksperienca ime në punë. Shpesh mendoja se si mund të arrija të bëja një gjë të bukur, një gjë të mirë”, thotë Petriti.
Petriti është një novator, por për proçesin e punës ai ka qenë shumë strikt dhe nuk i ka lënë asgjë rastësisë në xhevahirin e tij të vogël.
“Bleva llamarinën, ndërtova shasinë nëpërmjet materialeve të blera në dyqan. Pastaj orientova sistemin e drejtimit, pastaj dola mbrapa me kokat e zbarës, koka paraleli dhe të gjitha pajisjet e tjera”, tregon Petriti.
Por nuk ka qenë një shetitje e lehtë që një grumbull hekurishtesh të rëndomta t’i kthejë në një makine jo vetëm funksionale, por mbi të gjitha të sigurtë.
“Hasa vështirësi në sistemin e frenave. Piva nja tre katër cigare derisa mblodha mendjen dhe më pas ia dola”, thotë Petriti.
Si në çdo skuderi serioze, testimi është momenti i shenjtë, ku mblidhet ankthi dhe frika e ndonjë dështimi përfshi ndonjë aksident në rrugët automobilistike.
“Provat fillimisht i bëja gjatë natës, në orët e vona, sepse sedra është gjë e madhe dhe unë jam 61 vjeç. Kur dola në provat e fundit që zbrita deri në qytet, marshallah makina eci mirë”, rrëfen Petriti.
Diçka duhet theksuar, kjo nuk është zbavitja e fundjavës për Petritin, pas një jete të mbushur me vështirësi, fatkeqësi, këto makina të vogla të prodhuara nga ai vete, janë dashuria e tij dhe një shtysë e madhe përpara.
Të blesh pjesë këmbimi për markat e njohura është ndoshta veprimi me banal në raport me një makinë, por ku i ka fabrikuar shpikësi ynë parakolpet dhe karrocerinë e makinës së tij.
“I kam mbledhur tek kazanet e plehrave, aty i gjeta”, thotë shpiksi.
Tashmë Petriti mund të quhet një prodhues makinash i afirmuar.
“Kjo është makina e dytë që kam bërë. Një e kam shitur në Belsh, të cilën pronari e përdor për gjah”, tregon Petriti.
Dihet që makinat e bukura janë dhe një magnet shumë i fuqishëm për femrat.
“Bashkëshorten e shëtis me të, por nuk i kam bërë sedilje prapa, se kam hall se ma thyen. Por makina mban deri në 150 kilogramë”, thotë Petriti.
Ai ka tejkaluar vetveten pasi ai në zanat ka hekurin dhe drurin dhe lidhjet elektrike nuk kanë fare të bëjnë me të.
“Mu desh një muaj e gjysmë punë duke punuar nga mëngjesi deri në 2 të natës”, thotë Petriti.
Ama në gjithë këtë mrekulli që ka krijuar Petriti, ka një difekt, ai nuk ka akoma një emër për veprën e tij.
“Jo nuk i kam vënë ende një emër. Pres ndonjë konfirmim, udhëzimet nuk e di nga do i marrë”, shprehet Petriti.
Kaluar problemi estetik tashmë vjen momenti i testimit objektiv për të verifikuar të gjithë fjalët që ka thënë Petriti.
Një mjet komod, i sigurt i bërë me dashuri mbi të gjitha duke pasur parasysh ata që kushtet fizike nuk i kanë të lehta, kjo makinë me logo AL është krenaria jonë më e fundit industriale.
Top Channel