Conte apo Simeone? Interi përgatit një pagë prej 15 milionë eurosh

08/05/2017 00:00

Fati i Stefano Piolit si trajner i Interit është shënuar tashmë. Për këtë arsye, në kuadër të sezonit të ardhshëm, Suning po përpiqet që t’i dhurojë Interit një trajner të madh dhe ka bërë gati një pagë prej 15 milionë eurosh në sezon për Antonio Conten ose Diego Simeonen.

Edhe pse Simeone i ka thënë “jo” Interit, ndërsa Conte nuk ka dashur të flasë për mundësinë zikaltër, pronarët kinezë të Interit nuk janë dorëzuar. Në Pinetina janë të gjithë të bindur se nevojitet një dorë e fortë për të rikthyer Interin në nivele të larta dhe për momentin vetëm dy emra bindin drejtuesit e klubit milanez.

Rruga për të bindur Simeonen ose Conten është gjetur te paratë. Për këto trajnerë, Interi është gati të shpenzojë 15 milionë euro në vit. Më pas, do të flitet edhe për blerje lojtarësh, pasi dy trajnerët e suksesshëm nuk do të pranojnë të drejtojnë një skuadër pa pasur nën urdhra lojtarët që duan.

Por, duke qenë se bindja e këtyre trajnerëve do të jetë e ëvshtirë, është gati edhe një listë e gjatë zëvendësuesish. Ata janë Luciano Spalletti (Roma), Jardim (Monaco), Paulo Sousa (Fiorentina), Di Francesco (Sassuolo) dhe Roberto Mancini, për një rikthim të bujshëm.

Top Channel