Derbi i Tiranës, sfida që lë në harresë objektivat

28/04/2017 00:00

Në “Selman Stërmasi” luhet sot derbi i kryeqytetit, mes Tiranës dhe Partizanit, një ndeshje që gjithnjë shkon përtej objektivave të të dyja këtyre dy skuadrave.

Diferencat në këtë sezon janë të mëdha, pasi Partizani në kampionat ka 30 pikë më shumë se bardheblutë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për përballjet mes tyre, këto diferenca zbresin gjithnjë në plan të dytë. Kjo e sotmja do të jetë ndeshja e 150 mes Tiranës dhe Partizanit dhe bilanci flet për “Të Kuqtë”, me 62 fitore kundrejt 40 të Tiranës, ndërkohë që 47 sfida janë mbyllur në barazim.

Për ndeshjen e sotme, trajneri i Partizanit, Sulejman Starova duket se do të hedhë në fushën e lojës një skuadër sulmuese duke aplikuar skemën 4-3-3. Kapiteni Hoxha do të jetë në portë, mbrojtja do të ketë 4 lojtarë: Kalarin, Krasniqin, Malotën e Fejzullahin. Mesfusha do të përbëhet nga Batha, Vila dhe Ramadani, ndërsa në sulm, Trashi duket se preferohet kundrejt Çetkoviçit, dhe përkrah tij do të jenë Torasa dhe Ekuban.

Në krahun tjetër, Josa preferon skemën 4-1-4-1, me Likën në portë; Dokën, Teqjan, Turtullin e Hoxhallarin në mbrojtje dhe përpara tyre do të jetë Akuah. Taku, Karabeci, Daja, Merveij do të jenë në mesfushë, në mbështetje të Ede, i cili do të jetë sulmuesi i vetëm.

Top Channel