Partizani merr kreun dhe pret i qetë Kukësin

08/04/2017 00:00

Partizani fiton 2-0 me Luftëtarin dhe kryeson i vetëm, të paktën deri në përfundim të takimit Kukësi-Vllaznia.

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë në këtë sezon që të kuqtë të linin pas, qoftë për një ditë, rivalët për titull.  Skuadra e Milinkovic kapitulloi që në pjesën e parë në sfidën e zhvilluar në “Selman Stërmasi”, ku shtylla e Dejvi Bregut ishte shumë pak për të befasuar kryeqytetasit, që luajtën për më shumë se një pjesë loje me një lojtar më shumë.

Starova i kushtëzuar në ndërtimin e formacionit nga mungesat e Trashit dhe Torrasës befasoi me aktivizimin e Filit dhe Bardhit, por edhe të Cetkovic duke lënë në stol Vilën dhe Mazrekajn, ndërsa Kalari u rikthye në krahun e majtë të mbrojtjes. 

Partizani e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme takimin, fillimisht duke rrezikuar me Filin, ndërsa një minutë me vonë Ekuban shpërtheu mes mbrojtjes gjirokastrite dhe rrezohet në zonë dhe Jemini drejton gishtin nga pika e bardhë e penalltisë.

I saktë Batha përballë Ruçit me një goditje qëndrore. 1-0 Do të kishte qenë një gol spektakolar për nga mënyra e ekzekutimit, por finalizimi i Bregut në të nëntën u përplas në shtyllë. Minuta të mira për gjirokastritët, por Hoxha reagon gjithmonë në pozicion pas tentativave të Licajt dhe Abazajt. I pakujdesshëm Mutumane me dy ndërhyrje të njëpasnjëshme ndaj Bardhit, që ndëshkohen me të verdhë nga Jemini, e që detyrimisht i tregon të kuqen mesfushorit nga Mozambiku.

Cetkovic i afrohet golit me një goditje të kalibruar që devijohet nga porteri, ndërsa minutën e 43 Partizani i jep goditjen përfundimtare Luftëtarit me Ekuban, që përfiton nga kthimi i topit nga Ruci pas goditjes së Krasniqit, duke realizuar të dytin; 2-0.

Në pjesën e dytë skuadrat luajnë hapur, të ndikuara nga rezultati, por edhe nga inferioritetin numerik i Luftëtarit, megjithatë rezultati nuk ndryshoi.

Pas kësaj fitoreje, “Të kuqtë” presin të qetë takimin mes Kukësit dhe Vllaznisë që luhet ditën e dielë.

Top Channel