Inter-Milan, një derbi tashmë për Europën

19/03/2017 00:00

“Derbi i Madonninës” nuk është vetëm një sfidë 90-minutëshe që përsëritet së paku dy herë në sezon, por këtë vit, nga ky moment e deri në fund të kampionatit italian, pritet që Milani dhe Interi të sfidojnë njëri-tjetrin për një vend në Europë.

Një “derbi” shumë i shtrënguar, që pritet të jetojë momentet vendimtare pikërisht në përballjen mes dy skuadrave të të njëjtit qytet të 15 prillit. Pas barazimit me Torinon, zikaltrit duket se i kanë thënë “mirupafshim” ëndrrës Champions League, e tashmë duhet të shohin edhe pas shpine.

Të përforcuar nga fitorja ndaj Genoas, pas tyre gjenden pikërisht kuqezinjtë që besojnë ende.

Barazimi 2-2 ndaj “granatave” ka lënë shije të hidhur në shtëpinë e zikaltërve. Ecuria e dëshpëruar drejt zonës Champions tashmë duket se është sfumuar. Napoli ndodhet 5 pikë larg dhe me një ndeshje më shumë për të zhvilluar, por mes këtyre dy skuadrave ndodhet edhe Lazio. Duke qenë se në këtë pikë misioni Champions për Piolin duket i pamundur, ndoshta më mirë është të shohë pas shpine dhe të mbrohet nga “mësymja” e Milanit, që mbetet ende në kërkim të trenit për në Europë.

Pas fitores ndaj xhenovezëve me gol të Matias Fernandez, “banda” e Montellës vazhdon të shpresojë në sipërmarrjen e pamundur. E për më tepër që përpara kanë “kushërinjtë” zikaltër. Mes vendit të 5-të të Interit dhe të 6 të Milanit janë vetëm 2 pikë diferencë, ndërsa më 15 prill luhet edhe “derbi” vendimtar.

Një përballje direkte që mund të vendosë fatet e sezonit për dy skuadrat milaneze, e për të dhënë një tjetër mënyrë leximi punës së bërë nga Montella dhe Pioli. Mbi të gjitha për të ardhmen. Për të rikonfirmuar vendet e tyre, të dy trajnerët kanë nevojë për një biletë në Europë, pa të cilën vështirë se mund të shohësh dritë në fund të tunelit.

Top Channel