Bosnja e plotë ndaj “Kuqezinjëve”

16/03/2017 00:00

Bosnje-Hercegovina do të vijë me të gjithë arsenalin e saj në “Elbasan Arena” për të luajtur kundër Kombëtares shqiptare.

Trajneri i skuadrës boshnjake, Mehmed Bazdareviç publikoi listën e 24 futbollistëve të grumbulluar për 2 ndeshjet e radhës, ku është edhe miqësorja me skuadrën e De Biazit.

Kështu në listën e të përzgjedhurve spikat emri i portierit të Çelsit, Asmir Begoviç e sidomos ata të Miralem Pjaniç dhe Edin Xhekos, të cilët luajnë në Serinë A me Juventusin e Romën.

Po kështu pritet të bashkohet me skuadrën edhe Senad Luliç i Lazios. Vlen të theksohet se Xheko dhe Luliç do të jenë të gatshëm vetëm për ndeshjen me Shqipërinë, pasi ndaj Gjibraltarit nuk mund të luajnë se janë të skualifikuar.

Sfida Shqipëri-Bosnje do të luhet në 28 mars dhe do të jetë e pesta mes këtyre skuadrave. Në 4 përballjet e para, bilanci flet për ekuilibër të plotë pasi të dyja ekipet kanë nga një fitore e një humbje, ndërkohë që kanë regjistruar edhe 2 barazime.

Top Channel