Superliga e futbollit, plani i “fshehtë” nis e merr jetë

07/02/2017 00:00

Lëvizje në hije dhe negociata asnjëherë të zyrtarizuara, por kjo nuk po e pengon planin e fshehtë të fuqive të mëdha të futbollit europian, për krijimin e një Superlige kontinentale.

Çdokush prej klubeve të përfshirë në projekt, ka qenë mjaft i kujdesshëm për të bërë të gjithë punën e pistë pas kuintave dhe me fshehtësi, e kjo duket se nga muaji në muaj, po krijon terrenin për një ligë alternative të futbollit europian.

Real Madrid dhe Barcelona janë dy rivalë të përjetshëm në futbollin spanjoll si dhe në Champions, por në këtë pikë ekipi simbol i mbretërisë spanjolle dhe klubi që mbështet pavarësinë e Katalonjës, bashkohen më shumë se kurrë. Diskutimet për krijimin e një lige europiane kanë nisur që në vitin 1998, por pengesat e mëdha, interesat dhe lobingu politik e kanë penguar nismën që synon një turne të ngjashëm me Euroligën e Basketbollit.

Real, Barça, Bayern, Juventus dhe PSG janë përkrahësit më të flaktë të Superligës së futbollit dhe UEFA tentoi t’i ulë vrullin duke i hequr fazën kualifikuese të Champions. Kjo do të aplikohet nga 2018 deri në vitin 2022, por konsiderohet nga superfuqitë si e pamjaftueshme.

Kompeticioni që për momentin është virtual dhe në mendjen e nismëtarëve, flitet se do të përfshijë dy ekipet e Manchester, Chelsea-n, Arsenal dhe Liverpool-in në Angli, Juventus, Milan, Inter dhe Napolin në Itali, Reali-n, Barcelonën, Atletico e Sevilla-n në Spanjë e mes të tjerëve, Bayern, Borusia, PSG dhe Marseille.

Mbetet për t’u diskutuar ende formula e kalendarit, kualifikimit dhe aq më tepër bindja e UEFA-s, por vrulli që kanë marrë të fortët e topit, do të ndalet vetëm me krijimin e turneut të ri nën ombrellën kontinentale.

Top Channel