Conte: Punova shumë për formulën e suksesit

18/12/2016 00:00

Në 11 ndeshjet e fundit, me skemën 3-4-3 ai ka arritur t’i japë një fytyrë të re skuadrës që ka shënuar 25 gola dhe ka pësuar vetëm 2.

Antonio Conte është njeriu i momentit në Angli sepse Chelsea nuk ndalet përpara asgjëje. Trajneri italian ka arritur të ndërtojë një tank të vërtetë që shkatërron javë pas jave çdo kundërshtar.

Pas suksesit të radhës në fushën e Crystal Palace, Conte shprehet se grupi ka gjetur harmoninë edhe pse për të nuk ka qenë e lehtë të rindërtonte një skuadër që sezonin e fundit nuk arriti të kualifikohej në kupat e Europës.

“Kisha nevojë për pak kohë. Nuk ishte aspak e lehtë përshtatja me futbollin anglez sepse duhet ta kuptosh mirë. Provova disa formula përpara se të ndryshoja formacionin, por pika më e fortë është mentaliteti që kemi. Kemi punuar shumë dhe vazhdojmë ta bëjmë gjatë gjithë javës si në aspektin fizik ashtu edhe në aspektin taktik”

Gjithsesi, Conte refuzon të flasë për titullin kampion pasi kampionati mbetet ende i gjatë. “Nuk duhet të shijojmë klasifikimin por të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur”, thekson ish trajneri i Italisë që në ndeshjen e ardhshme kundër Bournemouth nuk do të ketë në dispozicion bomberin Diego Costa dhe mesfushorin N’Golo Kante për shkak kartonësh.

Top Channel