NBA, San Antonio “hakmerret” në derbin teksan me Houston

13/11/2016 00:00

San Antonio ruan pathyeshmërinë në ndeshjet jashtë parketit të tij. Skuadra e “Spurs”-ave fitoi derbin teksan ndaj Houstonit në “Toyota Center”, me rezultatin 106-100, duke marrë hakun për disfatën e pësuar prej “Rockets”-ave një javë më parë.

Leonard me 20 pikë ishte më i miri për “Spurs”-at, ndërkohë që në krahun tjetër, James Harden shënoi 25 pikë, rrëmbeu 11 topa në tabelë dhe dha 13 assiste, statistika që nuk i shërbyen shumë skuadrës së tij.

“Pepsi Center” duket se është kthyer në tabu për Denverin, që në parketin e tij pësoi humbjen e tretë. Këtë radhë, skuadra e “Nuggets”-ave u mposht nga Detroit 95-106, me “Pistons”-at që shënuan fitoren e parë sezonale jashtë fushe.

Ecuri pozitive vazhdojnë dy skuadrat e Los Angeles, “Clippers”-at dhe “Lakers”-at. Të parët mundën në ndeshjen e radhës Minnesotën 119-105, për ta çuar bilancin në 9 fitore dhe vetëm 1 humbje. Ai që spikati në parket ishte Blake Griffin, me 20 pikë dhe 11 topa në tabelë.

Ndërsa Los Angeles Lakers fitoi në parketin e New Orleans me rezultatin 126-99, falë Clarkson, Russell dhe Lou Williams, që shënuan respektivisht 23, 22 dhe 21 pikë.

Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Boston fitoi ndaj Indianës 105-99, Toronto kaloi New York teksa e mposhti 118-107, Utah mundi Miamin 102-91, ndërsa Memphis humbi ndaj Milwaukee 96-106.

Top Channel