Gabigol shkon te Inter, Barcelona çon Santosin ne gjyq

04/09/2016 00:00

Gabriel Barbosa i quajtur ndryshe si Gabigol bëhet mollë sherri mes Barcelonës dhe Santosit. Klubi spanjoll ka vendosur të ndërmarrë masa ligjore kundër atij brazilian, për shkak të mosrespektimit të kontratës pasi Gabigol ishte përfshirë në tratativat për blerjen e Neymar.

Sipas kësaj kontrate, Barcelona kishte të drejtën që të merrte shërbimin e Gabigol, gjë që nuk ndodhi duke qenë se braziliani u transferua tek Interi. Gjithsesi kjo çështje nuk i ndryshon aspak historitë, pasi Gabigol ka nënshkruar një kontratë me klubin zikaltër deri në vitin 2021, ndërkohë që për kartonin e tij drejtuesit e Interit shpenzuan 29 milionë Euro.

Inter e ndiqte prej kohësh Gabriel Barbosën, por skuadra që e pikasi më shpejt nga të gjitha ishte Barcelona. Në verën e vitit 2013, interesi i madh i klubit blaugrana bëri që Santos ta përfshijë Gabigol në kontratën aq të diskutuar për kalimin e Neymar në Camp Nou me një klauzolë që Barcelonës i kushtoi 3 milionë Euro.

Sipas medias braziliane, drejtuesit e Barcelonës kishin të drejtën për t’u lajmëruar në rast se Santosi merrte oferta nga klube të tjerë për Gabigol. Katalanasit e morën njoftimin për ofertën e Interit vetëm në 29 gusht, kur braziliani kishte mbërritur në Itali për të kryer vizitat mjekësore, pasi kishte përshëndetur tifozët e Santosit. Nga ana e tyre drejtuesit e Barcelonës u kërkuan atyre të Santos të mos vijonin me procedurat deri në 31 gusht, por te Interi dëshira për ta blerë futbollistin ishte e madhe dhe kështu ndodhi.

Tani Barcelona po mendon ta çojë në gjyq Santosin, por Interi nuk rrezikon asgjë. Nëse katalanasit vërtetojnë se kanë të drejtë në pretendimet e tyre, atëherë maksimumi që do të përfitojnë është shifra prej 3 milionë Euro që ishte klauzola në kontratën për blerjen e Neymar.

Top Channel