Sassuolo humbet në tavolinë 3-0 me Pescara-n, Manajt i hiqet goli

30/08/2016 00:00

Sassuolo e ka humbur në tavolinë 0-3 ndeshjen e kësaj fundjave në Serie A ndaj Pescara-s, takim në të cilin shënoi edhe sulmuesi shqiptar Rey Manaj, ku në fushën e lojës ndeshja përfundoi 2-1 për vendasit.

Motivi i këtij vendimi të Gjykatësit Sportiv në Itali është se skuadra e Di Francesco-s nuk kishte federuar në mënyrë të rregullt një nga lojtarët e hedhur në fushë.

Anomalia ka të bëjë me Antonio Ragusa-n që u fut si zëvendësues duke luajtur 20 minutat e fundit të ndeshjes. Federimi i Ragusa-s, që ishte marrë në 26 gusht nga Cesena, kishte ndodhur pas dorëzimit zyrtar të listës prej 25 emrash të Sassuolo-s në Ligën e Futbollit. Për të futur blerjen e re Sassuolo-s i duhej të zëvendësonte një nga lojtarët që ishin përfshirë më parë në listë. Rregullorja në Itali parashikon se klubi duhej t’i dërgonte Ligës së Futbollit një rekomande me lajmin e zëvendësimit.

Sassuolo pretendon se e ka dërguar atë, ndërsa në Ligën e Futbollit thonë se kjo rekomande nuk ka shkuar kurrë në zyrat e tyre.

Takimi i së dielës u mbyll 2-1, ku autor i golit të vetëm për Pescara-n ishte Rey Manaj, megjithatë tashmë duket se ky gol nuk do të ketë vlerë. Por me siguri që edhe për lojtarin, më të rëndësishme nga ky takim i javës së dytë në Serie A janë 3 pikët.

Top Channel