F1 në Hungari, Vettel: Është një sfidë e madhe

20/07/2016 00:00

Formula 1 rikthehet me Çmimin e Madh të Hungarisë që është gara e 11 sezonale. Në pistën e Hungaroringut janë edhe shpresat e mëdha të Ferrarit dhe Vettel për të bërë kthesën në Botërorin e këtij viti, me pilotin gjerman që ruan kujtime te këndshme në këtë pistë.

“Kam kujtime të këndshme nga gara e zhvilluar në Budapest në vitin 2015 -tha Vettel në një intervistë për faqen zyrtare të kokëkuqes italiane- këtu fitova garën pas një starti të shkëlqyer. Është një vend fantastik dhe me shumë tifozë”.

Çmimi i Madh i Hungarisë është bërë pjesë e Botërorit të Formula 1 që nga viti 1986 dhe që nga ai moment nuk ka dalë asnjëherë jashtë këtij kalendari dhe pista e këtij viti ka pësuar pak modifikime.

“Pista është shumë e shkurtër -shpjegon Vettel- mungojnë muret, ka një pjesë të drejtë të gjatë që shoqërohet nga kthesa të njëpasnjëshme me diferenca të shkurtra kohore kundrejt njëra-tjetrës. Fizikisht, për ne është një sfidë e madhe, bën shumë nxehtë dhe asfalti nuk është shumë i rregullt. Por e përgjithshmja është të gjithë pilotët e pëlqejnë garimin këtu”.

Top Channel