NBA, rihapet finalja e Perëndimit

27/05/2016 12:15

Finalja e Konferencës së Perëndimit në NBA është ende e hapur dhe merita shkon për Golden State Warriors. Skuadra kampione në fuqi reagoi pas dy disfatave radhazi ndaj Oklahomës, duke fituar ndeshjen e pestë me këtë skuadër 120-111, për ta shkurtuar diferencën në këtë seri përballjesh në 3-2.

Në “Oracle Arena”, Warriors vendosën të thonë fjalën e tyre falë Stephen Curry dhe Bogut, për të shkuar në pushimin e ndeshjes me avantazhin 58-50. Në periodën e tretë Oklahoma e shtoi ritmin e lojës, duke marrë edhe kryesimin në 68-67 pas një gjuajtjeje të saktë për 3 pikë të Westbrook. Por Golden State nuk kishte ndërmend të lëshonte terren dhe u rikthye në avantazh me një diferencë prej +4 pikësh.

Në 12-minutëshin e fundit ishin basketbollistët e stolit ata që vendosën fatin e takimit. Iguodala shënoi 3 pikë, ndërkohë që të njëjtën gjë më vonë bënë edhe Livingston e Speights.

Oklahoma u përpoq të mbahej nëpërmjet pikëve të Durantit, i cili e mbylli takimin me 40 të tilla, por në skenë u rishfaq Curry, i cili i mbylli përfundimisht llogaritë e kësaj ndeshjeje duke i dhënë mundësi Golden State të qëndrojë ende në lojë për një kualifikim në finalen e madhe të NBA.

Top Channel