Juve, një dorë tek titulli i pestë radhazi

17/04/2016 00:00

Juventusi ka vendosur njërën dorë tek titulli i pestë radhazi kampion i Italisë. Bardhezinjtë shkatërruan Palermon në Torino duke çuar në +9 diferencën nga vendi i dytë.

Skuadra e drejtuar nga Allegri gjeti golin që në minutën e 10-të me anë të Khediras, i cili mori mirë me gjoks një top të gjatë të Pogba dhe goditi menjëherë duke zhbllokuar rezultatin.

Reagimi i Palermos ishte i zbehtë, ndërsa bardhezinjtë nuk gjetën dot golin e dytë në fraksionin e parë të lojës.

Në minutën e 71 Pogba shënon golin e dytë brenda zonës. Tre minuta më vonë Kuadrado vulos fitoren, ndërsa në minutat e fundit mjaftojnë që rrugën e rrjetës ta gjejë për herë të parë këtë sezon edhe rezerva e përjetshme e bardhezinjëve, Padoin.

Në ndeshjet e tjera, Totti shpëtoi Romën nga humbja përballë Atalantës. Verdhekuqtë shpërdoruan disavantazhin e dy golave dhe në fund morën vetëm një pikë pas barazimit 3-3 me Atalantën në transfertë.

Ky rezultat favorizon Interin e vendit të katërt që e shohin veten vetëm 4 pikë larg tyre dhe me një kalendar që i favorizon.

Top Channel