Juventusi fiton derbin e Italisë, mund 2-0 Interin

28/02/2016 00:00

Juventusi është fituesi i derbit të Italisë. Bardhezinjtë e drejtuar nga Allegri mundën 2-0 Interin, duke iu afruar më shumë titullit të pestë radhazi, ndërkohë ekipi i Mancini-t vazhdon t’i largohet gjithnjë e më shumë zonës Champions.

U fol shumë se njëri nga dyshja Icardi-Dybala do të zgjidhte ndeshjen, por Bonucci me golin që zhbllokoi rezultatin hodhi poshtë të gjitha pritshmëritë para këtij derbi. Goli i parë Juventusit erdhi prej çasteve të para të fraksionit të dytë, me mbrojtësin që shfrytëzoi asistin e pavullnetshëm nga D’Ambrosio.

Polemikat në Derbin e Italisë nuk mund të mungonin. I aktivizuar në të 82-ën, vetëm pak sekonda më pas Alvaro Morata fitoi një penallti. Edhe pse zikaltërit pretenduan ndërhyrje të parregullt të sulmuesit ndaj Miranda-s, gjyqtari Rocchi ndëshkoi ndërhyrjen e mbrojtësit.

Ekzekutimi u mor përsipër nga Morata, që mposhti për të dytën herë Handanovic dhe vulosi suksesin e Juventusit.

Me këtë fitore bardhezinjtë u ngjitën në kuotën e 61 pikëve, 4 më tepër se Napoli, që luan në fushën e Fiorentina-s. Disfata erdhi si një tjetër goditje për Interin, që humbi terren nga Roma e vendit të tretë, ndërsa tashmë rrezikon edhe vendin e pestë, me Milanin që është vetëm një pikë larg.

Top Channel