Luis Suarez: Atmosfera te Barça, fantastike

04/12/2015 14:40

Luis Suarez vazhdon të tregojë se Barcelona ka goditur në shenjë me blerjen e tij në merkato. Sulmuesi uruguajan po shënon vazhdimisht, ndërkohë që përkrah tij në repartin e sulmit janë edhe Lionel Messi dhe Neymar. Suarez, në një intervistë për të përditshmen spanjolle AS, ka bërë një përshkrim të raporteve që ekzitojnë mes këtyre 3 sulmuesve, të cilët përbëjnë të ashtuquajturin MSN si dhe të të gjithë atmosferës që zotëron te skuadra katalanase.

“Messi është lojtari më i mirë në botë. As unë e as Neymar nuk jemi në konkurrencë me të, e respektojmë. Raporti ynë është fantastik, si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Në të gjithë Barcelonën atmosfera është e mrekullueshme dhe të gjithë ne jemi të lumtur”, deklaroi Suarez.

Së fundmi, media britanike foli shumë edhe për mundësinë e largimit të Messit, por edhe të Neymar apo vetë Suarez, por uruguajani mohoi gjitçka: “E pamundur që Messi të lërë Barcelonën, edhe pse në futboll asnjëherë nuk dihet se ç’ ndodh. Ai ndihet mirë këtu dhe dëshiron të fitojë trofe të tjerë. Përsa më përket mua, vuajta shumë për të ardhur këtu. Gjithnjë kam ëndërruar të luaj te Barcelona dhe tani që erdha nuk kam ndërmend të largohem, edhe sikur të më ofrojnë 3-fishin e pagës që përfitoj tani”.

Top Channel