Incidenti në Beograd, jehonë në Itali

16/10/2014 00:00

Në incidentet e ndodhura në Beograd, gjatë takimit Serbi-Shqipëri, duket se janë përfshirë tashmë të gjithë lojtarët e këtyre dy kombëtareve, të cilët militojnë në Serie A, por jo vetëm.

Sipas Nenad Tomovic, mbrojtësit serb të Fiorentinës, ja cilat janë motivet që i shtynë lojtarët serbë të “zhduknin” sa më parë të ishte e mundur flamurin e Shqipërisë së Madhe.

“Nëse nuk do të largohej shpejt nga dikush në fushë, atëherë tifozët tanë do ta pushtonin fushën e blertë deri sa ta zhduknin atë. Ndaj dhe nxituam të reagonim”.

Përmes faqes zyrtare të Fiorentinës, Tomovic shton: “Ajo që ndodhi gjatë ndeshjes është e turpshme. Unë dhe shokët e mi, që ishim në pankinë, ishim të një mendjeje, që ai flamur të zhdukej sa më shpejt, në mënyrë që të shmangnim futjen në fushë të tifozëve tanë. Qëllimi im i vetëm ishte të riktheja qetësinë. Së bashku me shokët e mi ndihmuam disa lojtarë të Shqipërisë që të futeshin në dhomat e zhveshjes”.

Ndërkohë, Igli Tare, ish-lojtar i kombëtarës shqiptare dhe ish-lojtar i Lacios, tashmë drejtues i saj, ishte në tribunën e stadiumit të Partizanit, së bashku me miqtë e tij serbë. Impresionet e tij janë të një shqiptari, të zhgënjyer prej iluzionit të forcës paqësore të futbollit.

“Ajo që ndodhi ishte e tmerrshme. Shqipëria duhet të shohë përpara, jo më pas. Lojtarët u sollën me dinjitet për të mbrojtur flamurin tonë, popullin tonë. Kontrolli ishte e vetmja gjë që mungonte në atë moment. Ishte një 15 minutësh nën tension të lartë, dukej që ishte një situatë e rrezikshme. Isha me miqtë e mi serbë dhe, gjithsesi, arrita të hyja i qetë në hotel”, thotë Tare për mediat italiane.

Drejtori sportiv i Lacios nuk fsheh edhe kritikat ndaj medias. “Gjithçka ndodhi është frut i medias serbe dhe shqiptare, që përpara ndeshjes kishin shtuar tensionet me artikuj të panevojshëm. Hoteli ku ishte kombëtarja shqiptare ishte i blinduar, me 500 apo 600 policë të armatosur. Në nivel psikologjik, kjo nuk është diçka e lehtë”.

Edhe Cana, mbrojtësi shqiptar i Lacios, ka folur për natën e Beogradit. “Shkuam për të luajtur futboll, por jemi sulmuar nga tifozët serbë, ndaj nuk mund të riktheheshim në fushë. Donim vetëm të merrnim flamurin – shton lojtari i cili është lindur në Kosovë. – Gjithçka do ishte kthyer në normalitet, por më pas u sulmuam. Pas një tifoz serb me karrige, që gjuante ndaj shokëve të mi, më duhej t’i mbroja. Kam dëmtime në hundë, ndërkohë që personi i sigurisë, në vend që të na mbronte, na sulmoi”.

Ka folur edhe Berisha, tashmë portieri titullar i Lacios. “Atmosfera ngjante si të ishim në luftë. Përpara ndeshjes e dinim se i gjithë kombi po na ndiqte në këtë takim të rëndësishëm. Luftuam vetëm për ta. Ishte detyra jonë të mbronim simbolet e atdheut tonë”.

Top Channel