Pakult-Salihi, s’ka më dashuri

24/07/2010 12:10

Hamdi Salihi dhe trajneri i Rapidit të Vjenës, Peter Pakult, kishin kohë që “flirtonin” me njëri-tjetrin. Tekniku austriak e adhuronte sulmuesin shqiptar që nga koha kur ai luante te Tirana.

Por me gjithë dëshirën që kishte për ta marrë në ekipin e tij, kjo nuk u bë e mundur. Salihi në sezonin 2007-2008 kaloi te një tjetër skuadër austriake, SV Riedi. Në dy vitet me këtë ekip, Pakult shijonte në distancë ecurinë e shkëlqyer të bomberit shqiptar dhe pendohej përditë e më shumë pse nuk mundi ta merrte në radhët e ekipit të tij, ndërkohë që ishte në pritje të momentit të duhur për ta realizuar qëllimin e tij.

Salihi në dy sezonet me SV Riedin shënoi 34 gola në 82 ndeshje, gjë që e bëri përfundimisht Pakultin “të dashurohej” pas shqiptarit, me të cilin nuk i kishte shkëputur lidhjet asnjëherë që nga 2007-a, ku e kishte ndjekur në “Qemal Stafa” me bluzën bardheblu.

Kjo “dashuri” u konkretizua vetëm në shtator të 2009-s. Më në fund sulmuesi kuqezi u transferua te Rapidi i Vjenës, për t’u vënë nën urdhrat e Pakultit. Por “muaji i mjaltit” mes tyre nuk zgjati shumë dhe në janar 2007 erdhën shenjat e para të një ftohjeje, e cila u pasua me një sezon të tërë thuajse në stol për lojtarin. Ndërkohë që ecuria e Rapidit në këtë periudhë nuk ishte e mirë në kampionat, tifozët e gjigandit austriak të futbollit polemizonin me trajnerin për mosaktivizimin e Salihit. Ndërkohë që shenjat e prishjes së një marrëdhënieje të dikurshme shumë të mirë janë shfaqur sërish në këtë verë, kur Rapidi i Vjenës luan në Europa League dhe ka mundur të kualifikohet për në turin e tretë të kompeticionit të dytë për nga prestigji në futbollin e Kontinentit të Vjetër. Salihi e ndoqi nga pankina fitoren 4-2 kundër Suduvës. Pas ndeshjes, gazetarët u interesuan sërish për mosaktivizimin për një kohë të gjatë të shqiptarit dhe trajneri Pakult ishte i detyruar të sqaronte atë që ai e quan momenti “jo” i këtij sulmuesi: “Ai në të dyja ndeshjet (përfshirë dhe humbjen 4-0 me Insbrukun në javën e parë të kampionatit austriak) nuk ka bindur. Thjesht ka humbur shumë topa, dhe kur dikush te Rapidi dështon në çdo dyluftim, atëherë mund të shndërrohet në një problem”. Sulmuesi tjetër shqiptar, Atdhe Nuhiu, ende nuk i ka shijuar minutat e para me Rapidin. Rapidi në turin e tretë eliminator të Ligës së Europës do të përballet me fituesit e Kupës së Bullgarisë, Beroe Stara Sagora (ndeshja e parë në Sofje, ndërsa të dielën do të luajë në javën e dytë të kampionatit austriak me kryesuesit e Bundesligës, Viener Nojshtadt. Ndërkohë që veprimet e trajnerit duket se duan ta bëjnë Salihin të pendohet që në merkaton e verës nuk zgjodhi një skuadër tjetër, kur kujtojmë se kishte ofertë nga Monako.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA