Van Gaal: Finalen do ta luajmë në sulm

21/05/2010 15:30

Louis Van Gaal ka folur para mediave europiane një ditë nga finalja e madhe e Madridit ku Inter dhe Bayern Munchen do përballen për të fituar trofeun prestigjoz të Champions League.

Në këtë konferencë nuk kishte si të mungonte një mendim për ish vartësin e tij, Jose Mourinho. “Nuk mund të gjykoj sepse rezultatet flasin vetë. Ka bërë shumë për Interin që u transformua fitues si ai. Jemi të ndryshëm në lojë por të ngjashëm në filozofitë taktike dhe psikologjike. Ai është më i miri i gjeneratës së vet”, thekson tekniku holandez.

Më tej, ai shton se Mourinho e përgatit ndeshjen në tipare më defensive por ka lojtarë që mund të bëjnë diferencën. “Eshtë një zgjedhje loje. Unë e mendoj ndryshe. Luajmë për veten tonë, për publikun dhe duhet të bëjmë një lojë tërheqëse”, shton Van Gaal.

Ai thotë gjithashtu se një trajner duhet përherë të mendojë për fitoret dhe Mourinho ka arritur ta bëjë këtë. Van Gaal parashikon një ndeshje ofensive nga Bayern Munchen. “Filozofia ime është ajo e sulmit, të luajmë në sulm, në fushën e kundërshtarit. Gjermania na ndjek dhe do përpiqem të jap një imazh të mirë për Bayern-in. Loja jonë është përmirësuar me kalimin e kohës prandaj mendoj se të gjithë gjermanët do bëjnë tifo për ne”, vijon tekniku holandez.

Van Gaal mendon gjithashtu se në shumë raste, ndeshjet vendosen nga detajet e vogla. “Në një ndeshje episodet mund të vendosin dhe askush nuk mund t’i kontrollojë. Manchester u ankua për nxjerrjen e Rafael, ndërsa Barcelona kërkoi penallti. Arbitri është ai që vendos, por ne duhet ta ndihmojmë sepse ai nuk mund të shikojë gjithcka”, shton trajneri i Bayern Munchen.

Në fund të deklaratës, Van Gaal flet për ndeshjen e mbremjes së nesërme, duke theksuar: “Nuk dua të bëj parashikime. Duhet të jemi shumë të përqëndruar. Unë jam këtu për të ndihmuar lojtarët të jenë të përqëndruar”.   

Top Channel