Jo gjithçka ka shkuar mirë për Interin pas fitores fantastike 3-1 ndaj Barcelonës në San Siro. Festa zikaltër është “shkatërruar” prej sulmuesit problematik Mario Baloteli i cili ka hedhur fanellen e skuadres në tokë në shënjë proteste ndaj një grupi tifozësh të cilët e kontestuan atë pas humbjes së një rasti prej sulmuesit me ngjyrë në fund të takimit.
Ka mjaftuar gjesti i SuperMarios për të acaruar tifozët zikaltër të pranishëm në tribunën “vip”. Rreth 60 minuta nga përfundimit i ndeshjes ata kanë zbritur në ambientet e stadiumit, pikërisht në vendin ku ishte parkuar makina e Balotelit dhe pasi e kanë sharë dhe ofenduar për pak sa nuk u përplasën fizikisht me të. Është dashur ndërhyrja e punonjësve të sigurisë të shoqërisë zikaltër për të parandaluar një skenë aspak të këndshme.
Ndërkohë, gjesti i hedhjes së fanellës në fushë është komentuar edhe prej protagonistëve të tjerë të takimit, ku atij i ka dalë në mbrojtje ish-shoku i skuadrës, por që të martën ishte kundërshtar, Zlatan Ibrahimoviç.
“Materaci sulmoi Marion në tunelet e stadiumit. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë në karrierën time. Nëse do të më ndodhte mua për 10 sekonda do ta kisha hedhur në shesh Materacin”, deklaroi Ibrahimoviç për zënkën mes Balotelit dhe Materacit në tunelet e San Siros.
Reagime kanë ardhur edhe prej kapitenit të Interit, Havier Zaneti i cili tha se Baloteli shkatërroi festën zikaltër, ndërsa vetë trajneri Mourinjo e cilësoi gjestin e sulmuesit problematik, si një gjest mjaft të shëmtuar.
Top Channel