Faza e tretë e Kategorisë Superiore vazhdon të karakterizohet nga dyshimet për ndere, tolerime dhe ndeshje të falura. Në qendër të kësaj situate e sheh veten Kastrioti, që pas triumfit në fushën e Tiranës (java 23), tashmë i gëzohet një tjetër trepikëshi të lehtë.
Skuadra e drejtuar nga Ramazan Ndreu fitoi 3-2 përballë Besës, një sfidë, përfundimin e së cilës nuk e vendosi fusha, por marrëveshjet ndërmjet drejtuesve të dy klubeve.
Krutanët duhej me patjetër të fitonin për të grumbulluar pikët e nevojshme që t’i shpëtojnë rënies nga elita, ndërsa kavajasit nuk kanë më asnjë stimul në kampionat: verdhezinjtë, që renditen të dytët, ndodhen shumë larg Dinamos kryesuese dhe kanë një diferencë sigurie (prej 5 pikësh) me skuadrën e vendit të tretë.
Miqtë kaluan të parët në avantazh me Vioresin Sinanin, vetëm pas 13 minutave lojë, ndërsa Kastrioti është shfaqur i pafuqishëm për të reaguar.
Megjithatë, situata ndryshoi në fraksionin e dytë të lojës, me vendasit që arritën tre gola në harkun e 16 minutave, kjo edhe falë shthurjes së dyshimtë të ekipit kavajas. Abazaj në të 46-n dhe kroati Ivan Babiç, me dy rrjetat e minutave 53 e 61, përmbysën shifrat. Ka shërbyer vetëm për statistikë goli i dytë i Besës me Daniel Xhafajn, kur kronometri tregonte 63 minuta lojë.
Pjesa e mbetur e lojës ka qenë pa histori, me krutanët, të cilët ruajtën avantazhin e një goli dhe kundërshtarët e tyre që kanë bërë shumë pak, për të mos thënë asgjë, që të mos dilnin të humbur. Edhe pse gjithçka ishte paravendosur, burime pranë skuadrës nga Kavaja, bënë të ditur se tensioni në dhomat e zhveshjes nuk ka munguar. Në pushimin mes pjesëve të lojës, nuk kanë munguar as debatet mes disa lojtarëve verdhezinj.
Gjithsesi, fakti qëndron se Kastrioti ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë dhe për momentin mund të marrë frymë më lirshëm. Të besuarit e Ndreut janë ngjitur në vendin e 8, në kuotën e 29 pikëve pas 24 ndeshjeve, të distancuar vetëm me 2 pikë nga Teuta e vendit të 5. Kjo ndeshje mund të cilësohet edhe si panorama e atyre që pritet të jenë takimet e javëve të ardhshme në Superiore, me ekipet e rrezikuara që do të bëjnë të pamundurën për të siguruar pikë, qoftë edhe duke shkatërruar garën.
Top Channel