Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dënuar arrestimin e një shtetasi të Kosovës nga policia e Serbisë dhe ka bërë thirrje për lirimin e tij.

Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare “Merdare”.

Neziri jeton prej 25 vitesh në Zvicër, dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak se nëna e tij ishte e sëmurë, ai kishte shkuar në Beograd, për t’i bërë analizat.

Teksa po kthehej në Kosovë, ishte ndaluar në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’.
Ndaj arrestimit të tij ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli , i cili ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Mehmetajt. Sipas Pacollit, Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike.

“Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit. Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, thuhet në reagim.

Top Channel