Në më pak se një vit nga hyrja në lojë e Fondit “Elliott”, Milani përgatitet për një tjetër revolucion.

Pas Leonardos, dorëheqja e të cilit pritet gjatë kësaj të marte, edhe Gennaro Gattuso është i gatshëm të lërë stolin e “djallit”. Vendimi, thuhet ta ketë marrë pas një përballjeje të gjatë me administratorin e deleguar kuqezi, Ivan Gazidis, të zhvilluar të hënën në selinë e klubit, në rrugën “Aldo Rossi”.

Pozitat e trajnerit kalabrez, pas fundit të ndeshjes me Spalin dukej i lëkundur, por shumë shpejt u shfaqën skenarë të ndryshëm. Dëshira e tij ishte të qëndronte, e madje dha edhe sugjerime sesi mund të përmirësohej organika aktuale, duke shtuar më shumë “eksperiencë”.

Por, drejtuesit e “Casa Milan” duket se kanë vendosur të zgjedhin divorcin me Rino Gattuson. Projekti i këtij të fundit duhej mbështetur nga njerëz me eksperiencë, ndërkohë që klubi do të vërë në zbatim filozofinë që vendos të rinjtë premtues në qendër të vëmendjes, por me kosto të ulët.

Megjithatë, vlen të theksohet se Gattuso ka një kontratë që e lidh me Milanin deri në vitin 2021, e për këtë arsye, veç lamtumirës priten edhe sqarime sesi klubi kuqezi do të vendosë të ndërpresë marrëdhëniet kontraktuale të nisura në nëntor të vitit 2017.

Top Channel