Kukësi ka mundur Tiranën 2-0 në “Selman Stërmasi”, me golat e Vasil Shurtajt, duke mbajtur vendin e dytë me 3 pikë diferencë nga Flamurtari.

Në mbyllje të pjesës së parë dhe në fundin e takimit u shënuan të dy golat, që nuk i dhanë mundësinë Tiranës të bënte një hap më të mirë sesa skuadrat që po luftojnë për mbijetesën.

Më mirë se bardheblutë shkoi ndeshja për Luftëtarin në Vlorë, ku arriti në fund të marrë barazimin, me golin e Filit që konvertohet në një pikë. Më parë, për Flamurtarin kishte shënuar gol Ribaj, në fillimin e pjesë së dytë.

Partizani nuk arriti të marrë më shumë sesa një pikë në transfertën e zhvilluar ndaj Kastriotit, duke u ndalur në një barazim 1-1 ndaj ekipit që lufton për mbijetesën.

Pas një fraksioni të parë pa gola, Mensah i dha avantazhin kryeqytetasve në zhvillimet e një goditje dënimi të Asanit, por në stadiumin e Fushë Krujës nuk qëndroi shumë ky rezultat. Shehu riktheu barazpeshën me një goditje brenda zonës, ndërsa Partizani vuajti edhe inferioritetin numerik me daljen e Rexhepit. Suksesi i shumëpritur i Kastriotit nuk erdhi, e pas kësaj edhe pika e marrë nuk shërben shumë.

Laçi mundi 1-0 Skënderbeun në duelin e drejtpërdrejtë për Europa League, një rezultat që i jep kurbinasve të drejtën për të kaluar korçarët në renditje. Ndeshja u vendos nga rrjeta e sulmuesit shkodran Shtubina, por mbi të gjitha nga pritjet e portierit Selmani. Ky i fundit arriti të ndalë, veç tentativave të miqve në të gjithë lojën, edhe një penallti të sulmuesit Dejvi Bregu, të fituar më parë nga Vangjeli.

Top Channel