“Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë se, në fillim, ai është ngritur në qiell prej admiruesve të tij; se pastaj është dërrmuar në mënyrë të pamëshirshme prej kritikuesve të tij; se, më në fund, është nxjerrë përsëri në shesh, nga varri, dhe me durim, me mundim dhe me mëshirë është vënë në vendin që i takonte prej historianëve të arsyeshëm, që s’kanë qenë verbuar as prej fanatizmit të admiruesve të heroit, as prej tërbimit të kritikuesve të tij. Skënderbeu nuk i ka shpëtuar këtij rregulli të përgjithshëm. Dhe pyetja, pra, është kjo: ç’mbetet prej tij, pasi që kritika historike ka bërë çmos për ta vrarë dhe për ta ngjallë? Ose, duke shkuar edhe më larg, a është, vallë, historia e Skënderbeut një mit apo një fakt historik? Ky është problemi i parë për t’u zgjidhur në rastin e tij, si dhe në atë të çdo heroi tjetër…”.

Kështu e motivon Noli projektin e tij për të shkruar një histori të Skënderbeut, nismë që edhe ajo do të kalojë në tri faza: një Skënderbe gati romantik në versionin e parë të botimit (“Historia e Skënderbeut”, Boston 1921), pastaj në dy botimet e tjera (Fan S. Noli, “George Castrioti Scanderbeg”, New York 1947”); Fan S. Noli, “Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut – Kryezoti i Arbërisë”, Boston, Mass 1950, duke u dhënë jo vetëm shqiptarëve por edhe botës një Skënderbe i përshkruar me realizëm dhe bazuar mbi dokumente e kritere shkencore. Mund të thuhet se kështu me Nolin nis shkrimi i historisë shqiptare mbi standarde shkencore.

Me sa duket, nga kjo është nisur shtëpia botuese “Naimi” që, në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, përzgjodhi për botim pikërisht versionin e shkencorizuar të monografisë së Nolit, doktoraturën e tij për Skënderbeun paraqitur për gradën “Doktor në filozofi” në Universitetin e Bostonit, SHBA. Historiania Pranvera Novi Bogdani, e cila ka shkruar parathënien e këtij botimi thotë: “Është fakt i pamohueshëm se libri i Nolit, “George Castriot Scanderbeg”, Nju Jork 1947, është vepra më shkencore dhe më e rëndësishme historike e Fan S. Nolit. Ajo nuk përfaqëson vetëm majën më të lartë të krijimtarisë së tij në këtë fushë, por shënon edhe një kuotë të re në rrugën e zhvillimit të historiografisë shqiptare në veçanti”.

Skeda e librit:
Autori: Fan S. Noli
Titulli: Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405 – 1468)

Përg. për botim: Pranvera Novi Bogdani
Redaktor: Naim Zoto

Top Channel