Kjo studio është tempulli i Agim Radës. Ai rrethohet nga krijimet e tij të përmasave, koncepteve dhe materieve të ndryshme. Nuk do t’i duhen më shumë se dy ditë dhe busti i bronxtë i Skënderbeut do të jetë i përfunduar, për të zënë vend më pas në sheshin e heronjve në Budapest ku ndodhet edhe monumenti për Janosh Huniadin.

“E mbajta fjalën, kjo punë pothuajse është e mbaruar. Për dy ditë kjo është e mbaruar dhe është gati për të shkuar në destinacion në Hungari, në Budapest. Kjo është e Paskalit si vepër. E derdhëm në bronz, duke e ruajtur dhe duke e fuqizuar pak, sepse forma ishte tejet e konsumuar si skulpturë dhe i dhamë këtë rezultat që ju po e shihni sot”, tha Agim Rada, skulptor.

Jetona Koçibelli: Megjithatë ju nuk keni qenë një artist në shërbim të figurave politike. Figurat tuaja kanë qenë kombëtare dhe që i kanë rezistuar kohës.

“Këtu tek kjo studio që ju shikoni unë bëra 40 vjet në qershor. Kam filluar punën qëkur kam qenë pa asnjë thinjë në kokë, djalë i ri. Kam punuar me të ndjerin Kristaq Rama, kam punuar me Perikli Culin me Thoma Thomain, dekanin tim. Vepra e artit që përmban politikë brenda, është po aq afatshkurtër sac është dhe politika. Unë kam bërë Marin Barletin, Onufrin. Kukuzelin, Gjergj Elez Alinë, Petro Markon. Njerëz që i kanë qëndruar stuhisë së kohës dhe historisë. Ato janë vlera të padiskutueshme, të përjetshme”, thotë ai.

Rada fton artistët e rinj ta shndërrojnë studion e tij të punës në një atelie të madhe. Të shkëmbejnë mendime dhe të trashëgojnë vlera. Sepse e ardhmja është e tyre, megjithëse premton se do të krijojë sa më shumë të jetë e mundur.

“Bëra Mehdi Frashërin që u vu tek Kodrat e Liqenit. Ky këtu është Fan Noli që ma kanë kërkuar prapë shqiptarët e Amerikës. Përballë kemi Sali Butkën që do vendoset shumë shpejt diku në Tiranë. Ky është tempulli im ku unë ngrys ditët. Fat i madh që kam edhe këtë djalin, e kam zbuluar më në fund. Është një djalë shumë i talentuar e do punën shumë Oni”, u shpreh Rada.

Këto figura si Skenderbeu apo Nene Tereza , sipas Radës, duhet të qëndrojnë në sa më shumë sheshe të botës, për të qenë tregues i historisë dhe vlerave tona kombëtare.

Top Channel