Kulla Veneciane e rilindur/ Instalohet program teknologjik, vizitorët mund të udhëtojnë në kohë për të eksploruar Durrësin 3000-vjeçar

22/04/2024 19:54

Pas dëmtimit nga tërmeti, Torra Veneciane në Durrës është kthyer në Qendrën e parë të Interpretimit të Trashëgimisë Kulturore në vend.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga Kulla e rinovuar nëpërmjet fondeve europiane të programit EU4Culture. Përmes teknologjisë ajo ofron një përvojë të re unike për njohjen e turistëve vendas dhe të huaj me historinë e Durrësit dhe vlerat e tij.

Përmes projeksionit të larmishëm vizual dhe informativ në kupolë, përvojave të realitetit virtual dhe periskopëve digjitalë vizitorët kanë mundësi të udhëtojnë në kohë për të eksploruar historinë e Durrësit 3000-vjeçar.

E ndërtuar në shek. XV, Torra Veneciane është simbol i rezistencës ndaj pushtuesve që vinin nga deti. Pjesë e sistemit fortifikues bizantin për mbrojtjen e Durrësit, Kulla Veneciane është kthyer në një nga simbolet më përfaqësuese të qytetit që shtrihet buzë Adriatikut dhe tërheq mijëra vizitorë me historinë dhe mikpritjen e vet të trashëguar ndër shekuj.

Top Channel