Top Channel ka mësuar se Shqipëria ka marrë vendim për shpalljen si persona të padëshiruar të dy diplomatëve të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend.
Në përgjigje të interesit të Top Channel, zëdhënësja e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme e konfirmon këtë informacion.
Sipas zëdhënëses së MEPJ-së, “vendimi për shpalljen e diplomatëve iranianë si të padëshiruar është marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”.
Burime jozyrtare i thanë Top Channel se ky vendim, me gjasë vjen pas një bashkëpunimi me shërbimet partnere dhe ato izraelite për të shmangur një incident gjatë ndeshjes në Shkodër.
Në atë kohë kishte informacion se, Lavdrim Muhaxheri dhe disa terroristë të tjerë do të sulmonin me eksploziv kombëtaren izraelite. Për këtë çështje, në Shqipëri dhe Kosovë u arrestuan më shumë se 20 persona.
Pak muaj më parë, Shqipëria shpalli “non grata” atasheun ushtarak të Rusisë në vendin tonë, si dhe sekretarin e parë të Ambasadës ruse. Por, ky vendim, siç u konfirmua asokohe nga Ministria e Jashtme, erdhi pas konflikteve të Rusisë me Britaninë e Madhe, pas helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal.
Top Channel