Përveç Nations League, ku Shqipëria nis rrugëtimin e saj ditën e sotme me ndeshjen e parë ndaj Izraelit, Dritan Shakohoxha foli në “Top Talk” edhe për sigurinë në Kategorinë Superiore.

Ai është shprehur se kjo nuk është çështje e policisë, apo e Federatës, por e klubeve, pasi sipas tij, ata duhet të ndërgjegjësohen dhe të marrin masa.

“Rrëmujat më të mëdha në futbollin shqiptar kanë ndodhur edhe me praninë e policisë. Më shumë se sa çështje policie apo çështje federate, kjo gjë është çështje klubesh. Këto klube duhet të binden se ata tifozë që bëjnë rrëmujë janë kundër biznesit të tyre, janë kundër objektivave të klubit. Klubet janë në gjendje t’i ndalojnë pasi problemet vijnë nga një grup shumë i vogël tifozësh, pastaj vala mund të marrë edhe të tjerët. Klubet, të cilat i paguajnë edhe biletën e autobusit, vuajnë pikërisht nga këta tifozë”, tha Shakohoxha.

Edhe dënimet nga Federata për të zhvilluar ndeshje pa tifozë nuk janë zgjidhje, sipas tij, pasi kjo nuk i ndërgjegjëson tifozët.

“Është e padrejtë edhe dënimi pa tifozë i klubeve pasi nuk zgjidh gjë. Dënohesh 10 ndeshja pa tifozë, vjen ndeshja e dhjetë dhe nis rrëmuja sërish. Qëllimi është t’i mbushim me festë këto stadiume. Tifozët nuk ndërgjegjësohen duke u dënuar”, tha drejtori i Supersport.

Top Channel