Thaçi: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as shkëmbim territoresh

05/08/2018 13:06

Për të disatën ditë me radhë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vijuar të sqarojë idenë e tij për korrigjimin e kufijve, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për “KosovaPress”, ai ka ritheksuar se korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje dhe as shkëmbim territoresh. Ai këmbëngul se Kosova duhet të adresojë kërkesën e Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë, e thotë se në dy dekadat e fundit, asnjëherë nuk ka dalë kundër interesave të qytetarëve të Kosovës dhe SHBA-ve.

Sidoqoftë, ai pranon se ka dallime mes udhëheqësve të Shqipërisë dhe Kosovës për sa i takon dialogut, duke iu referuar kështu reagimit të një dite më parë të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

“Mendoj që zoti Berisha ka dhënë mendimin e tij për atë se çfarë mendon për zhvillimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Unë e respektoj mendimin e tij, por mendoj se nuk mjafton vetëm respektimi i të drejtave të njeriut për shqiptarët atje, sepse Serbia ka dështuar ta bëjë këtë në vazhdimësi. Unë konsideroj se, ne kemi një mundësi të vogël që të provojmë bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Fundja, kjo është ajo çfarë shqiptarët dhe përfaqësuesit politikë të Luginës janë duke kërkuar nga institucionet e Kosovës”, tha Thaçi.

Një ditë më parë, pas një takimi me përfaqësues të institucioneve lokale që drejtohen nga shqiptarët në Luginën e Preshevës, ish-kryeministri Berisha tha se u kishte kërkuar atyre të mos bëhen pjesë e këtij pazari.

“Kosova nuk i ka asnjë borxh Serbisë dhe nuk ka asnjë pëllëmbë tokë për të dhënë”, tha Berisha, sipas të cilit, të pranosh idenë e ndarjes së Kosovës në një mënyrë apo në një tjetër, mbështet idenë e Beogradit për Serbinë e Madhe, në kurriz të Kosovës.

Kjo ndërhyrje e Berishës u pasua nga një reagim jo pak i ashpër i Thaçit në Facebook, pavarësisht se në intervistën e tij në “KosovaPress”, ai thotë se mediet e kanë keqinterpretuar atë dhe se ai nuk i referohej aspak kryeministrit Berisha.

Top Channel