Dhuna ndaj kreut të Vetëvendosjes në Skënderaj/ Kryetari i komunës i thirrur nga policia për të dëshmuar, qytetarët “mësyjnë” përpara komisariatit

15/05/2026 19:03

Qytetarët në Skënderaj, para stacionit policor në mbështetje të Sami Lushtakut i cili ka hyrë brenda komisariatit për intervistim si i dyshuar për sulmin ndaj zëvendësministrit të Ministrisë së Financave dhe njëkohësisht kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj, Hysni Mehanit.

Rruga është bllokuar në të dy anët nga qytetarët e Skënderajt, teksa po presin për personin i cili po pyetet rreth ngjarjes.

Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj, Hysni Mehani ka thënë se është sulmuar nga kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Mehani, ka reaguar për “Shqipëria Live” sa i përket dhunës së një dite më parë, ai u shpreh se familja e tij është në panik për këtë ngjarje dhe akuzoi sërish kryetarin e kësaj komune dhe anëtarin e PDK-së, Sami Lushtakun.

“Familja ime është në panik. Nuk ka një qëndrim që dikush duhet të na japë. Po mundohem ta qetësojë familjen time. Lëndimet që kam marrë unë janë të parëndësishme para familjes. Mendjen e kam te fëmijët. I kam thënë që kam goditur kokën me top, por ata nuk e besojnë.

Qyteti jonë, është një prej qyteteve më bujare dhe e gatshme të sakrifikojë. Çfarë të presim nga një drejtësi ku nuk e kanë thirrur akoma z.Lushtakun?!

PDK nuk ka fuqi që të marrë vendime për z.Lushtaku. nuk më intereson se carë ndodh me PDK dhe z.Lushtakun. ata janë e shkuara dhe shpresoj që rasti im të jetë i fundit. Brezat e rinj të mos e pranojnë”, u shpreh Mehani.

Top Channel