Në Prishtinë u mbajtën homazhet në nder të Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili u nda nga jeta ditën e shtunë, pas një ataku kardiak.

Homazhet u kryen në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku të pranishëm ishin autoritetet më të larta shtetërore, miq e kolegë të Fadil Vokrrit. Të pranishëm në këto homazhe ishin edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe një delegacion i Federatës Shqiptare të Futbollit, i kryesuar nga Presidenti Armand Duka. Ky i fundit u shpreh se nuk e priste që të ishte në një ceremoni të tillë për Fadil Vokrrin, të cilin e përkufizoi si një njeri që jetonte me futbollin.

Padyshim që një nderim i madh për Fadil Vokrrin u bë edhe nga skuadra e Llapit, ku ish-kreu i FFK-së nisi karrierën e tij si dhe klubi i Prishtinës.

Pas mbylljes së homazheve, në sallën e Kuvendit të Kosovës nisi edhe ceremonia përkujtimore në nder të Fadil Vokrri.

Fadil Vokrri që ka qenë i njohur si një prej yjeve të futbollit në Kosovë e jo vetëm. Ai mori drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në vitin 2008. Gjatë kësaj kohe ai ka punuar shumë, duke u bërë edhe protagonisti i njohjes së kësaj federate në UEFA dhe FIFA.

Top Channel