Alisson Becker përmbylli një sezon fantastik me Romën në Serinë A, por edhe në Champions League, duke kontribuuar që kryeqytetasit të mbërrijnë deri në fazën gjysmëfinale.

Përpos kësaj, numri 1 i verdhekuqve ka fituar edhe besimin e trajnerit të Brazilit, Tite, që t’i japë një fanellë titullari në Botërorin ‘Rusi 2018’.

Forma e mirë e Alisson ka bërë që shumë klube të mëdha europiane të kthejnë sytë nga ai, duke qenë gati për të bërë oferta marramendëse për verdhekuqtë.

Së fundi portieri i Romës ka përfunduar në objektivin e Realit të Madridit, që është gati të paguajë plot 70 milionë euro për 25-vjeçarin, shifër që do të tundonte Monchin.

Nga ana tjetër, madrilenët kanë kontaktuar edhe me menaxherët e portierit, duke i premtuar një kontratë 5-vjeçare me 5 milionë euro në sezon dhe duke marrë miratimin paraprak të tyre.

Gjithsesi, e sigurt është që kjo tratativë nuk pritet të bëhet zyrtare para përfundimit të kampionatit botëror, për të mos shkaktuar shpërqendrim të portierit brazilian.

Top Channel